Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në hyrje të takimit me partitë politike, ka thënë se do ta dëgjojë vullnetin e tyre lidhur me shpërndarjen e Kuvendit apo formimit të një qeverie të re.
Presidenti tha se është përgjegjësi e tij që të ruaj stabilitetin e vendit, dhe të garantojë rendin demokratik të institucioneve.
“Është përgjegjësi e imja që ta ruaj stabilitetin e vendit, dhe të garantoj funksionimin demokratik të institucioneve sipas Kushtetutës së Kosovës. Të ndodhur në këtë situatë pas mocionit të mosbesimit më 25 mars që ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës nga 82 deputetë, sot ju përfaqësues nga të gjitha partitë parlamentare, ju ftoj që të konfirmoni se a është në vullnetin e partive politike zgjedhjet e reja apo krijimi i qeverisë së re”, ka thënë ai
Thaçi tha se presidenti nuk e shpërbën Kuvendin, dhe se kjo bëhet vetëm ne rast se ekziston një vullnet i tillë politik.
“Presidenti nuk e shpërbën Kuvendin, por praktikat kanë treguar se këtë e bën vetëm vullneti i partive politike. Pa humbur kohë, ftoj përfaqësuesen e VV-së ta merr fjalën”, ka thënë Thaçi.







