Nis takimi koordinues i qeverive Kosovë-Shqipëri

Ka filluar takimi koordinues i Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë nën kryesimin e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj dhe homologut të tij, Erion Bahçe.

Limaj tha se ky është një takim ku do të diskutohen të arriturat nga marrëveshjet e Pejës, sfidat e implementimit dhe rezultatet e tyre.

“Shpresoj që ministrat do të na njoftojnë për shkallën e implemetimit të katër marrëveshjeve në Pejë dhe sfidat që i kanë ata dhe më pas të raportojmë tek drejtuesit tonë. Ne kemi përgjegjësi që ajo që merremi vesh do të zbatohet në tërësi”.

Ndërkaq, Bahçe tha se që nga mbledhja e parë qeveritë kanë kaluar në përafrime edhe të legjislacionit të të dyja vendeve tona.

“Pika doganore në portin e Durrësit për Kosovën ka qenë prej prioriteteve tona të para. Sot këtu jemi mbledhur që të raportojmë për të arriturat që i kemi bërë që nga nëntori i vitit të kaluar. Menaxhimi i kufijve është kompleks por nëse i bashkërendojmë punët tona do na lehtësohet”.