Nis seanca ndaj Nuredin Lushtakut, kërkohet paraburgimi i tij

Prokuroria e Mitrovicës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Nuredin Lushtakut, ish-nënkryetarit të Komunës së Skenderajt të dyshuar për sulm ndaj zyrtarëve policorë.

Seanca për shqyrtimin e kërkesës së prokurorit të rastit ka filluar rreth orës 15:00, ka bërë të ditur Valon Preteni, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Mitrovicën e Jugut.

“Seanca tash ka filluar. Ka qenë e paraparë të filloj tash dhe në këtë moment nuk kemi ndonjë informatë rreth shqyrtimit [të kërkesës së Prokurorisë për paraburgim]”, ka thënë Preteni për Paparacin.

Prokuroria, sot ka kërkuar paraburgim edhe për djalin e Nuredin Lushtakut, Arbër Lushtakun dhe vëllain e tij, Faton Lushtaku të cilët ngarkohen me veprën “Sulmi ndaj personit zyrtar”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Incidentin në Skenderaj, ku një polic u plagos me armë zjarri e një tjetër u lëndua me mjet të fortë e kanë dënuar Qeveria, Sindikata e Policisë dhe PDK-ja, parti ku Lushtaku është anëtar.