Ka nisur protesta ku kërkohet drejtësi për Florijeta Rugovajn dhe Lendita Abdullahun.
Kërkesat e protestuesve janë rishikimi I vendimit që u mor nga Gjykata Themelore e Prishtinës, ngritja e dënimeve për personat që që nuk i respektojnë rregullat e komunikacionit dhe marrja më me seriozitet e rasteve të dëmtimit të qytetarëve në komunikacion.
Gjykata Themelore në Prishtinë të hënën ka dënuar me tri vjet e gjysmë burg personin me inicialet L.M, i cili vitin e kaluar shkeli për vdekje dy këmbësore në Prishtinë.
L.M është akuzuar nga Prokuroria pasi që më 22 tetor të vitit të shkuar rreth orës 16:10, në rrugën B – afër “Royall Mall” në Prishtinë, duke drejtuar veturën e tij të tipit “BMË”, kishte shkelur Ligjin mbi trafikun publik dhe kishte vënë në rrezik jetën e njerëzve nga pakujdesia, në atë mënyrë duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes dhe duke mos iu dhënë përparësi kalimi këmbësorëve në vend kalimin për këmbësorë, i kishte goditur këmbësoret L.A dhe F.R e si pasojë e lëndimeve të marra tani të ndjerat kishin ndërruar jetë në QKUK.










