Nis peticioni kundër bartjes së shamisë në shkolla në Kosovë

Në platformën online Change.org, ka nisur një peticion për ndalimin e bartjes së shamisë në shkollat e Kosovës.

“STOP mbajtja e shamisë nëpër shkolla dhe në Kosovë”, quhet peticioni dhe tashmë është nënshkruar nga gati 650 njerëz.

Kryeministri Albin Kurti ditë më parë tha se si prag për bartjen e shamisë e sheh moshën 16-vjeçare.

“Do ta kemi projektligjin për komunitetet fetare. Qëndrimi im është që nuk duhet të ketë ndajmë të shamisë dhe të elementeve tjera fetare në jetën e qytetarëve. Mosha 16 vjeçare është pragu”, ka thënë Kurti.

Ndërkaq, të shtunën është mbyllur kampanja “Ndryshojeni Udhëzimin Administrativ për shaminë”.

Sipas iniciuesve, kërkesa e tyre është marrë seriozisht nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit (MASHTI).

Durim Berisha, iniciues i kësaj nisme, ka bërë të ditur se ministria u ka dhënë garanci se neni do të ndryshohet pata fillimit të vitit të ri shkollor.

Ai në një postim në Facebook, ka shkruar se peticioni online për 48 orë ka mbledhur mbi 20 mijë nënshkrime, nga të cilat 45 për qind janë vajza dhe gra.