Ka nisur mbledhja e gjashtë ndërqeveritare mes Shqipërisë e Kosovës nën sloganin “Bashkë pa kufi” në Tiranë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë në fillim të mbledhjes se janë dakorduar me Kosovën që të çohet përpara një projekt i përbashkët për 150 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, “për rikualifikim urban të qytetit historik të shqiptarisë”.
Ai ka thënë se të gjitha dokumentet e nënshkruara në mbledhjen e fundit të qeverive janë në proces të punës.
Anëtarët e Listës Serbe në Qeverinë Hoti, zëvendëskryeministri, Goran Rakiq, dhe ministri për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jevtiq, nuk janë duke marrë pjesë në mbledhjen e dy qeverive shqiptare, në Tiranë.
Lista Serbe kishte bojkotuar mbledhjet mes dy qeverive shqiptare edhe në të kaluarën.
Janë tri marrëveshje më të mëdha që pritet të nënshkruhen. E para është dogana në Durrës [për Kosovën], linja hekurudhore dhe hidrocentrali për Kosovën që do të ndërtohet në Republikën e Shqipërisë.







