Në Gjykatën Themelore të Prishtinës  ka nisur seanca fillestare në lidhje me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Para turpit gjykues është deklaruar Naim Murseli i cili akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij.

Ai u shpreh se është shtetas i Kosovës dhe Suedisë dhe se është i ve pasi që i është vrarë gruaja.

“Jam shtetas i Kosovës dhe Suedisë. Nuk jam i martuar pasi që e kam gruan të vrarë. Gjendja ekonomike e mesme”, tha Murseli.

Gjyqtarja tha që e kanë njoftu ambasadën e Suedisë në lidhje me mbajtjen e seancës së sotme.

Për këtë rast të akuzuar përveq Naim Murselit, janë edhe Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj.

Avokati i të akuzuarit Tom Dodaj, Agron Kuqi u shpreh se nuk janë kushtet për të vazhduar kjo seancë, pasi siç tha ai sot ka pranuar dokumentacionin për rastin.

Gjyqtarja e rastit nuk e pranoi kërkesën, derisa i kërkoi të njëjtit të mbajë qetësi,

“Si mbrojtje nuk mund të deklarohemi në lidhje me pranimin e fajësisë”, tha avokati Kuqi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj katër të akuzuarve.

Në aktakuzën e Prokurorisë, thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro.

I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.