Përfaqësuesi i autorizuar i paditësit “Polo Lauren Company“, avokati Senat Elshani, në seancën e së mërkurës në Gjykatën Komerciale, deklaroi se “Megkos Trans” përmes importimit të 45 bluzave që përmbajnë shenjën e mbrojtur të paditësit, ka shkelur markën tregtare dhe se malli i importuar nga është i falsifikuar.
“E paditura, përmes importimit të 45 bluzave që përmbajnë shenjën e mbrojtur të paditësit ka shkelur markën tregtare të paditësit… Po ashtu, sqarojmë faktin se malli i importuar nga e paditura është mall falsifikat pasi që është prodhuar pa leje dhe pa licencë të paditësit si pronar i markës tregtare”, tha Elshani.
Ai deklaroi se mbesin në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë, duke sqaruar faktin se paditësi “Polo Lauren Comapany” është një ndër prodhuesit më të mirënjohur të veshmbathjeve për burra, gra dhe fëmijë në mbarë botën, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Më pas, u administruan provat materiale nga gjykatësi i rastit Hasan Kryeziu, i cili konstatoi se procedura e administrimit të provave lidhur me këtë çështje ka përfunduar.
Në fjalën e tij përfundimtare, avokati Elshani tha se nga provat e administruara është vërtetuar bazueshmëria e kërkesëpadisë. Andaj, i propozoi gjykatës që ta aprovojë në tërësi si të bazuar duke kërkuar edhe shpenzimet procedurale.
Kjo seancë u mbajt në mungesë të palës së paditur, edhe pse ishin ftuar në mënyrë të rregullt.
Pas kësaj, seanca e sotme përfundoi dhe gjykatësi Kyreizu konstatoi se gjykimi lidhur me këtë çështje juridike mbyllet.
Sipas padisë së ushtruar më 15 nëntor 2022, paditësi “Polo Lauren Company” me seli në New York ka paditur “Megkos Trans” nga Prishtina për shkelje të markës tregtare “Polo”, duke kërkuar nga gjykata të vërtetojë se i padituri ka shkelur markën tregtare të paditësit.,
Gjithashtu, paditësi ka kërkuar nga gjykata që t’i ndalohet palës së paditur që në të ardhmen të importojë apo tregtojë në çfarëdo forme mallra që shkelin markat tregtare “Polo”, si dhe të lejojë shkatërrimin e mallrave- 45 bluza nën mbikëqyrjen doganore.
Përmes padisë, paditësi ka kërkuar nga e paditura shpenzimet e transportit, ruajtjes dhe magazinimit të mallrave, si dhe t’ia paguajë paditësit ndëshkimin në vlerë prej 5 mijë euro.







