Nis fushata e dezinsketimit të zonave endemike në Malishevë

Në kuadër të zbatimit të masave për luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike krime kongo (EHKK), sot në territorin e Komunës së Malishevës, përkatësisht në fshatin Senik, ka filluar realizimi i fushatës për dezinsektimin e zonave që konsiderohen endemike,.

Dezinsektimi, bëhet kundër rriqrave, si bartës të virusit vdekjeprurës të EHKK.

Fillimin dhe realizimin e fushatës së dezinsektimit të zonave endemike, e kanë parë nga afër shtabi komunal për monitorimin e situatës me EHKK, në krye me nënkryetarin e komunës, Hajdin Berisha, si dhe zyrtarët përgjegjës të Ministrisë së Bujqësisë, të cilët në bashkëpunimin dhe koordinim me Komunën e Malishevës, e bëjnë dezinsektimin e zonave endemike.

Dezinsektimi do të realizohet në të gjitha zonat që konsiderohen endemike dhe do të jetë i mbikëqyrur si nga shtabi komunal dhe zyrtarët përgjegjës, ashtu edhe nga ekspertët e kësaj fushe.

Përndryshe, përkundër rasteve të thumbimeve nga rriqrat, në territorin e Komunës së Malishevës, deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast i infektimit me EHKK, dhe tani po hyjmë në vitin e pestë që nuk ka raste të infektimit dhe në vitin e gjashtë që nuk ka raste të vdekjeve nga EHKK.