Nis ceremonia e betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës së veriut, Erden Atiq

Ka nisur ceremonia e betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës së veriut, Erden Atiq.

Atiq fitoi zgjedhjet për kryetar të veriut të Mitrovicës në zgjedhjet e 23 prillit.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 23 prill, Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, fitoi rreth 550 vota ose 66 për qind të votave. Pjesëmarrja në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale ishte 3.47 për qind e trupit zgjedhor.

Në ditën kur pritet betimi i kryetarit të ri në veri të Mitrovicës, shtetet e QUINT-it sërish u kanë bërë thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga përdorimi i forcës ose veprimet që ndezin tensionet ose nxisin konflikt.

Në një deklaratë të përbashkët nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar thuhet se më 23 prill, në veri të Kosovës u mbajtën katër zgjedhje për kryetar komune dhe dy zgjedhje për asamble komunale, në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.

Megjithatë, në deklaratë thuhet se pas bojkotit nga një pjesë e konsiderueshme e komunitetit serb, rezultatet nuk janë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna, gjersa u kanë bërë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga veprimet që nxisin tensione.