Nis asfaltimi i unazës së jashtme të Ferizajt

Sot ka filluar asfaltimi i unazës së jashtme të qytetit të Ferizajt, projekt ky i Komunës së Ferizajt dhe Ministrisë së Infrastrukturës, rrugë kjo me gjatësi prej 31 kilometrash dhe kap koston rreth 3 milionë euro.

Nga afër asfaltimin e kësaj rruge e ka përcjellë kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, së bashku me zyrtarë tjerë komunalë.

Drejtori i Infrastrukturës, Arbër Bytyqi, këtë projekt e ka cilësuar të një rëndësie  të madhe pasi lidh shumë fshatra të kësaj ane.

“Sot po asfaltohet me shtresën e parë të asfaltit segmenti nga fshatin Neredime deri në hyrje të fshatit Dremjak. Gjithsesi në kuadër të këtij projekti nëse na premtojnë kushtet atmosferike do të vazhdojmë edhe në fshatin Manastirc, por edhe me një pjesë tjetër të fshatit Dremjak. Kjo është në kuadër të projekteve që ne kemi zgjedhur përfundimin e këtij segmenti deri në fazën e fundit në asfaltimin e shtresës së parë”, ka thënë Bytyqi.