Ulqin

Nik Gjeloshaj: Shqiptarët në Mal të Zi do ta valvisin flamurin kombëtar, gjobat ua paguajmë ne

Nik Gjeloshaj kryetar i Alternativës Shqiptare në Mal të Zi, i ka ftuar bashkëkombasit e tij që edhe më tej ta valvisin flamurin shqiptar.

Ai ka thënë se, edhe nëse gjobitën për këtë, gjobat do t’ua paguaj partia e tij.

Gjeloshaj ka vlerësuar se flamuri shqiptar në Mal të Zi kohëve të fundit është bërë ‘therrë në sy’ të shërbimit policor në Ulqin dhe Malësi, komunat ku jetojnë shqiptarët, kurse vendimin për gjobitjen e atyre që e valvisin e ka quajtur ‘punë e ndytë’.

Sipas tij, as policia e as gjykatat nuk mund t’i ndalin shqiptarët që ta mbajnë flamurin e tyre kombëtar dhe ta shprehin dashurinë ndaj tij, transmeton Ballkani.info.

“Sado që angazhohen, nuk janë në gjendje që të gjobisin aq sa ne jemi të gatshëm të paguajmë, në mënyrë që ta mbrojmë flamurin tonë, krenarinë tonë që i lidh shqiptarët kudo që janë”, ka thënë ai, shkruan portali IN4S.

Gjeloshaj thekson se shqiptarët janë autokton si popull në Mal të Zi, dhe Malin e Zi e respektojnë si shtetin e tyre, si dhe simbolet kombëtare. /Ballkani.info/