Ngushëllime e ndezje qirinjsh | Liderët shtetërorë të Kosovës me mesazhe ngushëllimi për popullin e Serbisë

Serbia në tri ditët e fundit është goditur nga dy raste që e kanë tronditur opinionin. Mbrëmë një i ri 21 vjeçar ka gjuajtur me armë automatike ndaj të paktën tetë personave në tre fshatra të ndryshëm.

Ai plagosi edhe 13 persona, ku shtatë prej tyre janë në gjendje të rëndë. Kurse, dy ditë më parë, një 14 vjeçar kreu një masakër në një shkollë. Tetë nxënës dhe një roje sigurie u vranë të mërkurën nga të shtënat me armë zjarri në Shkollën Fillore “Vlladisllav Ribnikar” në Beograd. Sipas njoftimit, gjashtë nxënës të tjerë dhe një mësues u plagosën dhe aktualisht ndodhen në trajtim mjekësor.

Këtë dy masakra bënë bujë edhe në Kosovë. Liderët shtetërorë të Kosovës u shprehën ngushëllime familjarëve të viktimave.

Madje në Prishtinë u ndezën edhe qirinj në shenjë solidarizimi me viktimat, shkruan Demokracia.com.

Një mesazh për të afërmit e viktimave e ka dhënë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Nuk ka asnjë më të vlefshme sesa jeta e fëmijëve dhe asgjë që dhemb më shumë sesa humbja e asaj jete. Përcjell ngushëllimet e mia më të thella për të gjithë prindërit e atyre që vdiqën gjatë të shtënave të tmerrshme në një shkollë në Beograd. Lutemi për shërbim të shpejtë për të gjithë personave që kanë pësuar lëndime”, shkroi ajo në Twitter.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime për viktimat dhe familjet e tyre, pas sulmit të armatosur në Beograd.

Kurti po ashtu ka uruar shërim sa më të shpejtë për të lënduarit.

“Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të thella për viktimat e të shtënave në shkollë në Beograd dhe për familjet e tyre. Gjithashtu u uroj shërim sa më të shpejtë të lënduarve në këtë ngjarje tragjike”, ka shkruar ai në Twitter.

Ngushëllime familjeve të viktimave të dy masakrave u ka shprehur edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

“Shpreh ngushëllimet më të thella për prindërit dhe familjarët e viktimave të dy ngjarjeve tragjike në Beograd! Ngjarjet e tilla janë gjithnjë të rënda dhe krijojnë pikëllim për këdo dhe gjithkund, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijë dhe civilë, e sidomos kur një nga këto krime të kësaj natyre të rëndë ndodh në një shkollë. Uroj shërim sa më të shpejtë për të plagosurit!”, ka shkruar ai.

Në shkallët e Teatrit Kombëtar të Kosovës në Prishtinë mbrëmë janë ndezur qirinj në nderim të 8 nxënësve dhe rojës së një shkolle në Beograd, të cilët u vranë të mërkurën, me armë zjarri nga një nxënës i mitur.

Homazhet u bënë në hapje të Festivalit “Mirëdita, Dobar dan!”, ndërsa atyre iu bashkua dhe ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq dhe Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.

Të mërkurën, një 13-vjeçar hapi zjarr në shkollën e tij në kryeqytetin serb, duke vrarë tetë nxënës dhe një roje përpara se të arrestohej. Në këtë ngjarje që ka tronditur Serbinë, janë plagosur edhe 6 nxënës dhe një mësuese.