Ngritja e çmimit të derivateve, dërgohen në gjykatë 21 raste ndaj operatorëve ekonomik

Çmimet e derivateve në Kosovë, dita e ditës mund të pësojnë ndryshime, krejt kjo për shkak se lëvizjes në Berzën Ndërkombëtar po janë të mëdha.

Kështu tha pkryetari i Shoqatës së Naftarëve, Fadil Berjani derisa deklaroi se çmimet sot në Kosovë kanë shënuar rritje prej 1-2 cent.

“Çmimet në Kosova përafërsisht po sillen për Diselin 1.68 ndërsa benzina 1.70. Ka rritje vetëm 1 apo 2 cent. Çfarë çmimesh do të ketë në ditët në vijim nuk mund të paragjykojmë sepse po ka lëvizje të mëdha në BERZH”, tha Berjani.

Ndërkohë në media ka pasur raportime për rritje të lartë të çmimeve të derivateve, njëra nga pikat e karburantit në Kosovë raportohet ta ketë rritur çmimin në 1.89.

E kjo sipas Berjanit po ndodh për shkak se “Kosova është shteti më i vogël në botë me më së shumti pika karburanti”.

Gazeta Insajderi, ka siguruar fotografi dy prej pikave të karburanteve në vend, ku mund edhe të shihen çmimet aktuale.

Siç edhe shihet nga pamjet çmimet e naftës sillen nga 1.71 deri 1.79 cent.

MINT: Janë iniciuar 21 raste në gjykatë ndaj operatorëve ekonomik

Është kontaktuar edhe  Inspektorati i Tregut në Ministrinë e Industrisë e Ndërmarrësisë për të kuptuar nëse janë duke i inspektuar operatorët ekonomik, nëse kanë gjetur ndonjë shkelje.

Të njëjtit kanë deklaruar se për tre muaj janë iniciuar 21 raste në gjykatë ndaj operatorëve ekonomik që nuk e kanë respektuar vendimin e qeverisë për përcaktimin e marzhës tregtare.

“Gjatë muajit mars, prill dhe maj 2022, Inspektorati i Tregut ka iniciuar 21 raste në gjykatë, ndaj operatorëve ekonomikë që nuk e kanë respektuar Vendimin e Qeverisë për përcaktim të marzhës tregtare. Po ashtu janë lëshuar 21 masa administrative/urdhër me shkrim për harmonizim të menjëhershëm të çmimeve, sipas vendimit të lartcekur”, thuhet në përgjigjën e MINT për Insajderin.

Nga Inspektorati i Tregut kanë bërë me dije se në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës, në vazhdimësi po kryejnë inspektime të përbashkëta, që ndërlidhen për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve dhe vendimeve të qeverisë.

Kujtojmë që me Vendimin e Qeverisë, të nxjerrë me datën 01/03/2022, është përcaktuar marzha tregtare deri në 6% për shitësit me pakicë dhe deri në 4 % për shitësit me shumicë.

Para 4 muajve në Kosovë çmimet e derivateve silleshin nga 1.23 deri 1.30 për Disel ndërsa benzina 1.25 deri në 1.35 cent.

Stabilizim i tregut të naftës në mbarë botën përfshirë edhe Kosovën pritet të ndodhë në momentin që mbaron lufta mes Ukrainës e Rusisë.