Ngritet aktakuzë për gjykim në mungesë për krime lufte

Gjykata Themelore e Prishtinës ka pranuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës një aktakuzë për vazhdim të gjykimit në mungesë. Personi i akuzuar për krime lufte në kohën kur është ngritur aktakuza ka qenë në Kosovë, por më pas është arratisur.

Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Albina Shabani-Rama e cila tha se lënda është bartur në Prokurorinë Speciale nga EULEX.

Sipas saj, kjo aktakuzë së fundmi ka arritur në këtë gjykatë dhe së shpejti do të marrë drejtim.

“Tash kohët e fundit është paraqitur një kërkesë për vazhdim të gjykimit në mungesë në Departamentin Special është një aktakuzë që ka qenë e ngritur më herët, por që personi është arratisur nuk jam e sigurt se a ka kanë nga EULEX apo UNMIK-u te shohim tani se si do të zhvillojmë më tutje për shkak se ligji nuk e ka paraparë këtë mundësinë se nëse aktakuza është ngritur sa personi ka qenë këtu a mundet tash të zhvillohet gjykimi në mungesë. Por besoj që edhe këtu do t’i shohim shumë shpejt rezultatet konkrete”, tha ajo.

Gjyqtarja Shabani-Rama thotë se janë duke e shqyrtuar këtë lëndë, pasi që ndryshimet për gjykim në mungesë kanë paraparë gjykimin në mungesë vetëm ndaj atyre që mungojnë nga koha kur nis hetimi dhe jo edhe ndaj atyre që janë prezent kur ngrihet aktakuza dhe më pas gjykata nuk mund t’i sigurojë që t’i sjellë në gjykatë.

“Krimet e luftës i përket një periudhe së mëhershme që është bartur lënda prej gjyqtarëve të EULEX-it përderisa lënda ka qenë në zhvillim, në procedurë, personi ka qenë në liri dhe ndërkohë është larguar, nuk kanë mundur që ta sigurojë gjykata për ta vazhduar gjykimin ndërsa, tani ka ardhur propozimi nga Prokuroria Speciale që gjykimi të vendoset në mungesë të të njëjtit. Në fakt gjykimi në mungesë e parasheh procedurën kur dikush mungon qysh edhe prej kohës së hetimit jo edhe nëse gjatë procedurës ndodh që personi largohet ose bëhet i paarritshëm për gjykatën. Është diçka që jemi duke e diskutuar sepse është hera e parë pak na nevojitet ndihma edhe ekspertëve të tjerë por besoj që shumë shpejt gjykata do t’i jap drejtim kësaj lënde se si do të vazhdohet më tutje… Tani veç sa e kemi pranuar kohët e fundit e kemi pranuar kërkesën prej Prokurorisë që të vazhdohet gjykimi në mungesë dhe besoj që shumë shpejt edhe gjykata do të aktivizohet dhe ta jap fjalën e saj”, vijoi ajo.

Lidhur me këtë, Lavdim Makshana nga Instituti i Kosovë për Drejtësi (IKD) thotë kur bëhet fjalë për krime lufte përkundër që aktakuza është ngritur në një kohë kur i akuzuari ka qenë në Kosovë nuk është problem që të zhvillohet gjykimi në mungesë.

Këtë, sipas tij, e lejon edhe Kodi i ri i Procedurës Penale i cili ka kaluar tashmë në Kuvend.

“Tashmë me Projekt-kodin e Procedurës Penale është paraparë mundësia që krimet e luftës të gjykohen edhe në mungesë në këtë rast edhe nëse aktakuza është ngritur në një kohë kur i akuzuari ka qenë në Kosovë nuk është problem që të zhvillohet procedura ndaj tij në këtë rast me gjykim në mungesë. Nuk ka ndonjë mangësi procedurale apo ligjore në aspektin e gjykimit të tij”, theksoi Makshana.

Makshana thotë se përkundër që është rritur numri i prokurorëve në Departamentin për Krime Lufte ende nuk është ngritur ndonjë aktakuzë për gjykim në mungesë.

“Sa i përket gjykimit në mungesë për krime lufte tashmë Prokurorisë Speciale i janë shtuar edhe disa prokurorë në Departamentin Special, është rritur numri i këtyre prokurorëve megjithatë deri më tani nuk kemi aktakuza të cilat janë ngritur por po besoj që meqenëse tani edhe është miratuar edhe në lexim të dytë po besoj që Prokuroria do të luajë rol më efikas në ngritjen e aktakuzave për krime lufte”, tha ai.