Ngrihet edhe një padi ndaj Ragmi Mustafës për vendosje të flamurit shqiptar në Preshevë

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa, ka njoftuar se ndaj tij është ngritur akuzë në Preshevë për shkak të ngritjes së flamurit shqiptar në selinë e këtij Këshilli, që është e treta për veprën e njëjtë.

Sipas Mustafës, kjo padi është ngritur pas masave që Kosova ka ndërmarrë për reciprocitetin e targave.

“Sot, pranova ftesën e radhës nga gjykata e Vrajës, për ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar, në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar, më 28 nëntor 2020. Si edhe dy herëve të kaluara, akuzohem dyfishtë për “kryerjen e veprës për kundërvajtje, ngritja e flamurit kombëtar”. Kjo padi ngritet pasi që Kosova ka ndërmarrë masat e reciprocitetit në targa. Sado që do të besosh në paanësinë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe prokurorial, megjithatë duket e çuditshme ashtu si edhe paditë paraprake se si përputhet në kuptimin kohor me rrethanat politike dhe qëndrimet e mia në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Mustafa ka thënë se pavarësisht këtyre padive, ai nuk do të zmbrapset për betejën e drejtë ligjore për lejimin e përdorimit të flamurit kombëtar.

“Mund edhe të më dënoni vazhdimisht, por si prijës i Këshillit Kombëtar Shqiptar nuk do të zmbrapsem politikisht nga beteja e drejtë e ligjore për lejimin e përdorimit të flamurit kombëtar. Përdorimi i simboleve kombëtare nga shqiptarët në Serbi është e drejtë e tyre njerëzore, kombëtare dhe ekzistenciale. Siç i përdorin ligjshëm simbolet e tyre kombëtare minoritetet e tjera në rajon, edhe shqiptarët në Serbi kanë me I përdorur simbolet e tyre kombëtare. Nga kjo e drejtë nuk do të mund të na privojë asnjë regjim. Nuk ka mundur as regjimi I Millosheviqit, nuk do të mundet as ky i Vuçiq. Edhe njëherë, e drejta e përdorimit të simboleve kombëtare për minoritetet jo vetëm se është e drejtë e garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare, por edhe me frymën dhe germat e Kushtetutës së Serbisë”, shkroi ndër të tjera ai.