Ngrihet aktakuzë për korrupsion ndaj gjykatësit Sali Berisha

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj gjykatësit Sali Berisha për veprën penale “marrje ryshfeti”.

Në një njoftim nga kjo prokurori, “S.B. në cilësi të personit zyrtar, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe ka pranuar përfitim në mënyrë që të veprojë në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare”.

Sipas sqarimit të Prokurorisë, Berisha kishte marrë dymijë euro nga F.Z. për t’i shqiptuar dënim më të favorshëm vëllait të tij. Kështu ai kishte vepruar duke i shqiptuar në këtë rast dënim të kushtëzuar me burg prej tre vjetësh, me kusht për dy vjet për dy vepra penale të kontrabandimit me migrantë.

“Më 19 shtator 2019, i pandehuri S.B. ishte takuar me dëshmitarin F.Z. me të cilin kanë shkuar tek vetura e dëshmitarit dhe pasi që kanë hyrë brenda, i akuzuari ka pranuar nga dëshmitari shumën e parave në vlerë prej dymijë (2000) euro. Për shkak se i pandehuri ishte dakorduar me dëshmitarin, që në një rast ku i akuzuar ishte vëllai i dëshmitarit F.Z, në të cilin rast i pandehuri ishte kryetar i trupit gjykues, të njëjtit t’i shqiptojë dënim të favorshëm, me ç’rast i pandehuri ka marrë Aktgjykimin me të cilin ka shqiptuar dënim të kushtëzuar me burg prej tre (3) vjet, me kusht për dy (2) vjet për dy vepra penale të kontrabandimit me migrantë. Me këto veprime i akuzuari S.B. ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” sipas nenit 421 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPK-së”, sqarohet në njoftim.

Ai po ashtu është i akuzuar për armëmbajtje pa leje.

“Gjithashtu, i akuzuar S.B. deri më 19.09.2019 ka mbajtur në pronësi armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla dhe atë një revole të tipit ”Zaza Mini’’ kalibri 8 mm, me numër serik T.592372, së bashku me 10 fishekë e cila është gjetur dhe sekuestruar me rastin e bastisjes që kishte ndërmarrë policia në banesën e tij në Pejë, e për të cilën nuk posedonte leje valide. Me këto veprime i akuzuari ka kryer vepër penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPK-së”, përfundon njoftimi.