Ngrihet aktakuzë ndaj 12 personave për rastin “Brezovica 1”

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave në rastin e njohur si “Brezovica 1”. Ndaj tyre rëndojnë aktakuza për keqpërdorim detyre, marrje e dhënie ryshfeti dhe armëmbajtje pa leje. Për rastin “Brezovica” janë arrestuar edhe më shumë persona ndërsa janë sekuestruar mbi 100 objekte të ndërtuara në Brezovicë, që dyshohet se janë bërë në kundërshtim me ligjet.

Afera “Brezovica” ka të bëjë me ryshfet dhe ndërtime pa leje në zonat e mbrojtura, në të cilën ishin përfshirë zyrtarë të lartë të shtetit, përfshirë ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq, i cili dyshohet se për katër vjet ka marrë para dhe dhurata në këmbim të dhënies së lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”.

Sipas njoftimit, ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq, ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke mundësuar dhënien e lejeve ndërtimore në parkun kombëtar “Sharri”, në zonën e tretë dhe të dytë të vikend-zonës në Brezovicë. Ai akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti e ushtrim ndikimi dhe armëmbajtje pa leje.

D.R. si drejtor i Urbanizmit në këtë komunë akuzohet për keqpërdorim detyre, marrje ryshfeti e armëmbajtje pa leje.

Si persona zyrtarë aktakuzë për keqpërdorim detyre e marrje ryshfeti janë ngritur edhe ndaj H.B. dhe D.M., si inspektorë.

Aktakuzë për marrje ryshfeti e ushtrim ndikimi është ngritur edhe ndaj S.M., si shef i Drejtorisë së Kadastrit.

Ndaj ish-sekretarit të Ministrisë së Mjedisit, Arben Çitaku, është ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe armëmbajtje pa leje.

I pandehuri B.H. dyshohet se si kryeinspektor në këtë ministri në periudhën 2013-2021 s’ka ndërmarrë veprime ligjore për t’i ndaluar ndërtimet e vikend-shtëpive dhe objekteve hoteliere në Brezovicë dhe se ka qenë në dijeni se ato janë ndërtuar pa pëlqime mjedisore. Ai akuzohet për keqpërdorim të pozitës.

M.H. dyshohet se si shef i departamentit për Mbrojtje të Mjedisit dhe Ujërave në MMPHI në këtë ministri ka keqpërdorur detyrën duke mos përmbushur detyrat e veta.

I pandehuri H.A. dyshohet se si person fizik në periudhën 2014-2016 ka dhënë ryshfet. Ai akuzohet për ushtrim ndikimi.

S.S. dyshohet se më 2016 ka ndihmuar të pandehurin Nikolliq për marrje të ryshfetit që të veprojë në kundërshtim me detyrat zyrtare. Ndaj tij është ngritur aktakuza për “marrje të ryshfetit në ndihmë”. Ngjashëm është ngritur aktakuzë edhe ndaj J.K..

Ndaj R.B. rëndon aktakuza se si shef i personelit në Drejtorinë e Urbanizmit në periudhën 2013-2021 ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke marrë ryshfet.