Moslargimi i borës dhe krijimi i ngricave në trotuaret e rrugëve të Prishtinës po i rrezikojnë qytetarët në marrjen e lëndimeve të ndryshme.
Të paktën kështu thonë vet ata. Tashmë po bëhen dy javë kur Berat Azemi, banor i lagjes “Tophane”, ka thyer gishtin për shkak të rrëshqitjes, pikërisht në trotuaret e lagjes së tij.
Ai për KosovaPress shprehet se krejt kjo ka ndodhur si pasojë e mos pastrimit të kësaj rruge nga organet komunale.Në rrugën “Meto Bajraktari”, sipas tij, asnjëherë askush nuk ka ardhur për të larguar borën e rënë.Më i ashpër ndaj komunës së Prishtinës, shprehet banori i rrugës “Bajram Kelmendi”, Ekrem Gashi.
Ai thotë se në lagjen e tij nuk ka asnjë zgjidhje ku të ecë përveç në rrugë bashkë me veturat.Siç thotë banori, trotuaret përveç që janë me borë, ato po zaptohen dhe nga veturat e shumta, e për këtë fajtor kryesor e lë komunën e Prishtinës. Ndërsa, banorja tjetër te rruga “Afrim Hoxha”, Sherimane Dushi me vështirësi të mëdha, thotë se po frikohen të qarkullojnë lirshëm tek trotuaret e lagjes së saj.
Ecja në trotuare për Bajram Dreshajn është e pamundur. Ai ka ankesa të mëdha, jo vetëm për komunën, por dhe për Policinë e Kosovës, që sipas tij, asnjëherë nuk i ka larguar veturat për të liruar qytetarët të qarkullojnë lirshëm.
Përveç këtyre rrugëve, gjendja e njëjtë është dhe te rruga “Hamz Jashari” dhe “Xhavit Haziri”, ku ngricat e krijuara po e vështirësojnë qarkullimin andej.
Përkundër insistimit të KosovaPress-it, zëdhënësit e komunës së Prishtinës kanë qenë të pa qasshëm për t’u prononcuar mbi këtë çështje./KosovaPress/







