Ngordh elefanti që jetoi mbi 8 dekada

Dakshayani, që mendohet të jetë elefanti më i vjetër në botë ka ngordhur në moshën 88 vjeçare në Indi.

Veterinerja tha se kafsha nuk po hante më ushqim, prandaj ngordhi të martën (5 shkurt). Vitet e fundit, kujdestarët e ushqenin me karrota dhe ananas pasi kishte vështirësi për të lëvizur.

Dakshayani nuk kishte marrë pjesë në asnjë eveniment publik prej vitesh.

Bordi “Travancore Devaswom”, i cili drejton tempullin ku jetonte, thotë se ishte elefanti më i vjetër i mbajtur në robëri. Megjithatë, Rekordin Botëror si elefanti më i vjetër i mbajtur në robëri e mban Lin Wang që ngordhi në vitin 2003. Lin ishte 86 vjeç dhe ngordhi në një kopsht zoologjik në Tajvan.