Ngjarje e rëndë në Prishtinë, një i ri theret me thikë në qafë në autobusin e linjes 7A

Një person i moshës rreth 20 vjeç është therur para pak çastesh me thikë në qafë nga një person tjetër.

Ngjarja ka ndodhur në autobusin e linjes 7A rreth, orës 17:00, prapa ndërtesës së komunës së vjetër, (te Plepat) në Prishtinë.

Dëshimtarët që ishin në këtë autobus, i kanë thënë RTKLive se viktima ishte ulur në pjesën e përparme të autobusit, ndërsa me t’u hapur dyert e autobusit në stacion, dy persona që ishin ulur në fund të autobusit janë nisur në drejtim të viktimës dhe njëri nga ta e ka goditur me thikë në qafë dhe kanë zbritur nga autobusi duke ikur në drejtim të panjohur.

Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa personi është dërguar në QKUK.

Nuk dihen motivet e këtij sulmi të tmerrshëm.

Lajmin për Ballkani.info e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

“Rreth orës 17:00 është raportuar një rast Lëndim Trupor ( therje me thikë) në një autobus i cili ndodhej në rrugën Agim Ramadani në Prishtinë. Mbështetur në informatat e para dyshohet se një person (mashkull rreth 17 vjeçar) ka marrë lëndime trupore nga një armë e ftohtë (thikë). Personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që policia ka filluar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore me qëllim lokalizimin e vendndodhjes së personave të dyshuar, si dhe sqarimin e rrethanave që lidhen me rastin”, ka deklaruar Ahmeti.