Ish-pjesëtari i policisë së Kosovës, Halit Zhdrrella, pasditen e së dielës kishte zgjedhur që ta kalonte në gjueti bashkë me nipërit e tij. Por, pushka me të cilën e ushtronte pasionin, i mori jetën 58 vjeçarit. Ai u vra aksidentalisht nga nipi i tij, T. Zh., 31 vjeçar në sy të fëmijëve.
Ky i fundit kishte qenë duke e pastruar pushkën e gjuetisë. Ai është arrestuar, mirëpo organet e hetuesisë kosovare e kanë lejuar që të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të xhaxhait të tij.
Shtëpia e familjes Zhdrella, nga fshati Penuh, të Podujevës, të hënën ishte e mbushur me plot mysafirë.
Gjithë këta ishin mbledhur për të ngushëlluar për vdekjen familjarit të tyre, Halil Zhdrella, i cili humbi jetën derisa kishte dalë për gjah. Në këtë familje të dielën mbrëma ndodhi një tragjedi.
Nipi e vrau axhën aksidentalisht, derisa kishte qenë duke e pastruar një pushkë gjuetie, me të cilën ai bashkë me xhaxhin planifikonin ta ushtronin pasionin e tyre për gjah. Por, një plumb i shkrepur pa dashje, ia mori jetën 58 –vjeçarit.
Gazeta Express, gjendet në familjen e të ndjerit. Ata janë të shokuar nga rasti dhe pohojnë se e gjithë ngjaja ndodhi aksidentalisht.
“…krejt çka mund të themi është që ngjarja ka ndodhur aksidentalisht”, ka deklaruar një i afërm i viktimës.
E familja Zhdrella nga fqinjët përshkruhet si familje e respektuar.
“…nuk kemi fjalë për këtë rast. Për 1 mijë vite më Halit Zhdrellë nuk ka. Nuk e di se çfarë të them për këtë rast të rëndë. Familje më të mirë nuk ka”, ka deklaruar njëri nga fqinjët e viktimës.
Ndërkohë edhe policia e Kosovës po e heton rastin. Të njëjtit kanë deklaruar se ky rast po cilësohet si ‘Vrasje nga pakujdesia”
Sipas policisë, mbrëmë rreth orës 21:00, në fshatin Penuh të Podujevës, nga arma e zjarrit është plagosur një person. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes, ku kanë hasur viktimën.
Zyrtari policor nuk ka mundur t’i përballojë, plagët e shkaktuara nga arma e zjarrit dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Vdekja e viktimës është konstatuar nga stafi mjekësor në QKUK.
Ndaj nipit të policit, i cili dyshohet se aksidentalisht e shkrepi pushkën, është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.







