Ambasadorët e QUINT-it bojkotojnë pritjen e Osmanit dhe Kurtit për Ditën e Çlirimit të Kosovës

Pas pezullimit të Kosovës nga “Defender Europe”, aleatët perëndimorë i kanë dhënë edhe një “goditje” Kosovës. Ambasadorët e vendeve të QUINT-it kanë bojkotuar pritjen e organizuar nga presidentja Vjosa Osmani për nder të 12 qershorit, Ditës së Çlirimit. Nga Presidenca kanë thënë se ambasadorët ndodhen jashtë shtetit.

Kosova ka marrë një goditje tjetër të rëndë pikërisht në përvjetorin e çlirimit të saj. Të gjithë ambasadorët e vendeve perëndimorë e kanë bojkotuar pritjen e organizuar nga presidentja me rastin e 12 qershorit, Ditës së Paqes.

Këtë veprim e kanë bërë si masë “ndëshkuese” ndaj Kosovës për shkak të mosdëgjimit ndaj SHBA-ve dhe aleatëve tjerë për situatën në veri të Kosovës.

Burime diplomatike perëndimorë i kanë thënë Paparacit, se bojkoti është bërë për t’i dhënë mesazh kryeministrit, Albin Kurti se tashmë ai nuk është në një linjë me Amerikën dhe aleatët.

Shtetet që përbëjnë QUINT-in janë: ShBA-të, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia. Këto shtete ishin kontribuuesit më të mëdhenj për çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj, të shpallur më 17 Shkurt, 2008.

Prezent në ndejën shtetërore janë ambasadorët e Zvicrës, Austrisë dhe Arabisë Saudite, por jo edhe ata të QUINT-it.

Megjithatë, Kosova sot ka shënuar 24-vjetorin e Ditës së Lirisë apo Çlirimit të Kosovës, kur trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas fushatës ajrore të Aleancës së Veri-Atlantikut kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi.

Për nder të kësaj dite, presidentja e vendit Vjosa Osmani ka organizuar pritje shtetërore. Edhe pse një nga ditët më të rëndësishme të vendit, ky organizim nuk shkoi ashtu siç duhet.

Të ftuar ishin edhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it. Megjithatë, ata kishin zgjedhur që të mos vijnë, kështu duke i dërguar zëvendësit e tyre.

E mos prania e tyre ka të bëjë me zhvillimet e fundit në veri të vendit, ku edhe SHBA i vendosi Kosovës disa masa. Mediumi këtë pritje shtetërore e ka përcjellë nga afër. Për Paparacin nga kabineti i presidentes Osmani kane thënë se ambasadoret e shteteve te QUINTIT ndodhen jashtë vendit.

Fushata bombarduese e NATO-s, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova.

Presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti organizojmë pritje shtetërore me rastin e Ditës së Çlirimit.

Rezoluta 12 44 e OKB-së në Kosovë vendosi administratën e përkohshme të OKB-së, UNMIK, për të administruar me vendin e shkatërruar nga lufta, për një periudhë transitore deri në ngritjen e kapaciteteve vendore dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Ajo, po ashtu, siguroi bazën ligjore për vendosjen e 50.000 trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja për ta siguruar paqen në Kosovë, që njëherësh ishte edhe misioni më i madh paqeruajtës i Aleancës veriatlantike.

Vendosjes së trupave paqeruajtëse i parapriu Marrëveshja Teknike e Kumanovës, që parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë.