Ngjarja e rëndë në Ferizaj, sot protestohet dhe kërkohet dënim maksimal ndaj të dyshuarve

Qendra Kosovare për Studime Gjinore ka thirrur një protestë për sot në orën 12:00, pas vrasjes së 18-vjeçares në Ferizaj.

Protesta pritet të mbahet pranë Stacionit Policor, Gjykatës dhe Prokurorisë në Ferizaj, në shenjë revolte ndaj dhunës.

Në njoftim thuhet se kërkesat e protestës janë adresimi i fenomenit të femicidit ashtu siç e parasheh Konventa e Stambollit, dënim maksimal për vrasësit, siguri për vajzat dhe gratë në të gjitha hapësirat, dhe trajtim të drejtë të dhunës me bazë gjinore ndaj grave nga Qeveria e Kosovës.

Ndryshe, personi me inicialet A.S është arrestuar dhe një tjetër është në kërkim nga policia lidhur me vrasjen e një 18-vjeçareje në Ferizaj.

Lidhur me të dyshuarin e arrestuar, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar masë paraburgimi nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ndaj të pandehurit A.S., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.