Ngjarja bamirëse” Let’s Dance” mbledh afër 30 mijë euro

Për të katërtin vit me radhë, rreth 500 persona u bënë pjesë e ngjarjes me karakter bamirës “Let’s Dance” – “Të vallëzojmë për nënat dhe fëmijët”.

Nga organizatorët është bërë e ditur se shuma e mbledhur këtë vit nga sponsorizimet dhe shitja e biletave është € 27,556.10.

“Është emocionuese të shohësh se çdo vit, misioni i Fondacionit Aksioni për Nëna dhe Fëmijë  merr çdo herë e më shumë përkrahje nga komuniteti”, ka thënë Mrika Aliu, Drejtoresha Ekzekutive e Fondacionit.

Michael Gold, drejtori i Crimson Capital dhe njëherit bashkëorganiztor i ngjarjes u shpreh  shumë mirënjohës ndaj sponsorëve, vullnetarëve dhe mysafirëve që çdo vit po e përkrahin ngjarjen vjetore dhe nënat e fëmijët në Kosovë.

Si çdo vit, qëllimi i kësaj ngjarjeje është të mbledhë fonde të cilat më pas përdoren nga Fondacioni Aksioni për Nëna dhe Fëmijë për të mbështetur programe të ndryshme shëndetësore, për të siguruar medikamente dhe pajisje mjekësore dhe për të ofruar shërbime shtesë për foshnjat që kanë nevojë për trajtim mjekësor të specializuar, për nënat që presin fëmijë dhe për familjet në përgjithësi.