vetura elektrike

Nga viti 2024 në Tetovë nis prodhimi i veturave elektrike, biznesmeni i njohur jep lajmin

Në Maqedoninë e Veriut dje u vendos gurthemeli për hapjen e fabrikës për prodhimin e makinave elektrike.

Bzinesmeni i njohur,Lazim Destani shkroi në Facebook se ndërtimi i fabrikës pritet të përfundojë në fillim të vitit 2024, kur edhe do të fillojë prodhimi.

“Më i gëzuar se për investimin, jam për faktin se Tetovës, Maqedonisë së Veriut dhe të rinjve tanë, po u sjellim një mundësi të madhe punësimi e zhvillimi. Dje vendosëm gurin e themelit të fabrikës tonë më të re, një prej investimeve më të rëndësishme të grupit të bizneseve të familjes tonë, që do t’i sjellë vendit dhe rajonit, prodhimin e makinave elektrike E.Go Mobile, markë dhe prodhim gjerman, që po zgjerohet edhe në rajonin tonë. Ndërtimi i fabrikës Next e.Go Mobile në Tetovë pritet të përfundojë në fillim të vitit 2024, kur dhe do të fillojë prodhimi i makinës së plotë elektrike”. shkroi ai.

Destani theksoi se aty “do t’u krijohet mundësi punësimi mijëra të rinjve nga Tetova, Maqedonia, si dhe rajoni ynë, duke e futur vendin tonë në hartën e prodhimit të automjeteve elektrike”.

“Siç e theksova edhe në fjalën time gjatë ceremonisë së vendosjës së gurit të themelit, para 50 vitesh, unë mora rrugën e mërgimit drejt Gjermanisë për më shumë mundësi pune, e sot ndihem shumë i lumtur që po sjellim mundësitë e Gjermanisë këtu. Me këtë rast, po e përsëris thirrjen time për të gjithë afaristët, sidomos investitorët nga diaspora, që obligimin e tyre ndaj atdheut, ta realizojnë me investime në vendin dhe rajonin tonë”, ka shkruar ai.