Pjetër Shala

Nga sot rinis punën Gjykata Speciale, pritet vendimi për “ujkun”

Pas tri jave pushimi, në Dhomat e Specializuara në Hagë sot palët do të kthehen në sallat e gjykimit, për të rinisur punën e tyre.

Sipas kalendarit të kësaj Gjykate, nga e marta e deri të premten, para trupit gjykues do të paraqitet Pjetër Shala, derisa javën tjetër gjykimi do të vazhdojë edhe për ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaci, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.

Monitoruesi e avokati Amer Aliaj, thotë se ky vit do të vazhdojë njëjtë sikurse i kaluari, me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria, në rastin kundër Thacit dhe të tjerëve.

“Gjatë këtij viti do të kemi seanca intensive sidomos në rastin kundër Thaçit dhe të tjerëve, në rast se e shohim kalendarin apo seancat e caktuara deri në muajin korrik janë caktuar më shumë se 80 seanca, atëherë sigurisht që i kemi edhe rastet e tjera që janë aktive, e që janë edhe 3 raste për pengim të administrimit të drejtësisë”, ka thënë Amer Aliaj – Avokat.

Aliaj shpreson se dhomat e specializuara, këtë vit do të jenë më transparente dhe me më pak seanca të redaktuara.

Të njëjtën e thotë edhe avokati i akredituar, Artan Çerkini i cili shton se në muaj e parë të këtij viti, trupi gjykues do të mund të vendos rreth çështjes së Pjetër Shalës, i cili akuzohet për krimet lufte.

“Rastet e pengimit në drejtësi, me sa kam parë nuk ka arsye të zvarriten sepse numri i dëshmitarëve, nuk është i madh sidomos në këto 3 rastet e fundit, dhe ka gjasa reale që gjykimi të përfundojë brenda vitit, ndërsa edhe gjykimi ndaj Pjetër Shala është drejt përfundimit dhe besoj se brenda këtij viti e ndoshta në gjysmën e parë e këtij viti do ta kemi, një aktgjykim në lidhje me rastin e tij”, ka thënë Artan Çerkini – Avokat.

Tutje Çerkini thotë se gjykata duhet të marr një vendim, sa i përket dëshmitarëve, sepse është një numër i madh dhe se dëgjimi i tyre do të marr shumë kohë.

“Edhe sivjet gjykata ka mundësi që të zvogëlojë kuadrin e dëshmive që ti heqë disa dëshmitarë ngase numri i tyre është shumë i madh e nëse të gjithë dëshmitarët do të dëgjohen, atëherë seriozisht rrezikohet zbatimi praktik, i parimit të gjykimit brenda një afati të arsyeshëm”, shtoi ai.

Dhomat e Specializuara, kanë nisur pushimin dimëror më 18 dhjetor, derisa pas vdekjes së njërit nga avokatët e Kadri Veselit, mbrojtja kishte kërkuar kohë disa javë, për të zëvendësuar avokatin.

VIDEO BONUS: Gastronomia më e rrezikuara nga ikja e punëtorëve, bizneset kanë filluar t’i ndryshojnë kushtet