Nga sot nisin testimet serologjike për COVID-19 në Prishtinë

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka njoftuar se në këtë komunë nga sot do të fillojë kryerja e testeve serologjike (analizë e gjakut) për koronavirus.

Për testimet të cilat zgjasin rreth 30 minuta, Gashi tha se kjo komunë ka staf dhe kapacitetete të mjaftueshme.

“Kemi staf të mjaftueshëm sepse për testime serologjike nuk duhen kapacitete të mëdha. Aparatura është automatike. Testimi do të bëhet brenda 30 minutave. Teste serologjike dallojnë nga “Real Time PCR” Ajo metodë që e bën ISHKK bëhet me marrjen e mostrës dhe identifikimin e virusit, kurse testimet serologjike janë, gjetja e antitrupave ndaj virusit…Nuk kërkohet virusi, por antitrupat. Shpresoj që do të fillojmë që nesër. Do të rriten kapacitet për testim brenda ditëve në vazhdim. Kërkesat janë të mëdha që nga tani. Kemi të gjitha evidencat nga fillimi i pandemisë nga rastet e para më 20 mars ”, ka bërë të ditur mbrëmë Gashi në KlanKosova.

Ai tha se deri tani janë kontraktuar afro 10 mijë e 800 teste dhe se furnizimi me to do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim.

Kujtojmë që nga data 20 mars deri sot, komuna e Prishtinës ka regjistruar 1 mijë e 629 raste me COVID-19, prej të cilave 1 mijë e 192 raste janë ende aktive. Nga të gjitha rastet e konfirmuara, 416 raste janë shëruaa dhe zyrtarisht të konfirmuara janë 21 raste që kanë përfunduar me fatalitet.