Nga sot ndryshon çmimi i biletës në transportin publik në Prishtinë

Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se nga sot është bërë riorganizimi i planit tarifor të transportit publik, me ç’rast do të ndryshojë edhe çmimi i biletës në transportin publik.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se çmimi i biletës mujore nga 14.00 Euro do të zbresë në 13.50 Eruo.

“Në anën tjetër, për t’iu përshtatur nevojave të të gjithë qytetarëve, kemi përfshirë në planin tarifor biletat javore dhe ditore shumë përdorimëshe: Bileta Ditore përfshin udhëtime vajtje-ardhje pa limit përgjatë 24 orëve, me çmimin 0.80€ dhe Bileta Javore përfshin udhëtime vajtje-ardhje pa limit në të gjitha ditët e javës, me çmimin 4.00€”, thuhet në njoftim.

Komuna bënë të ditur se një biletë e rregullt autobusi, e cila mund të përdoret vetëm për një drejtim, do të ketë çmimin 0.50€.

“Kartelat javore dhe mujore mund t’i blini në pikat e shitjes së Trafikut Urban: Kioska me logon e Trafiku Urban, prapa Objektit të Komunës së Vjetër (tek “Plepat”), Kioska me logon e Trafiku Urban, në lagjen Kodra e Diellit, tek ”Banesat e Bardha”.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se biletat ditore 24 orëshe dhe ato me një drejtim, mund t’i blini si zakonisht në autobus, duke u pajisur me kupon fiskal”, thuhet në njoftim.

Komuna ka theksuar se plani i ri tarifor do të aplikohet nga data 31 janar 2023.

Ky riorganizim është bërë në kuadër të Marrëveshjes së Kredisë mes Trafiku Urban Prishtinë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), me qëllim të përmirësimit të shërbimit të transportit publik dhe inkurajimit të qytetarëve për përdorimin e autobusëve.