Me 3 prill kanë hyrë në fuqi rregullat e reja të komunikacionit, që parashihen masa të ashpëra për shkelësit e rregullave.
Mosvënia e rripit të sigurisë, mbajtja në prehër e personit tjetër gjatë vozitjes, tejkalimi në vijë të plotë, përdorimi i celularit gjatë vozitjes dhe garat me vetura janë vetëm ka disa rregullat që priten të dënohen më ashpër se sa Ligji i vjetër për rregullat e trafikut rrugor.
Për mosvënien e rripit të sigurisë gjoba do të jetë 150 euro , ndërsa me Ligjin e vjetër kishte qenë vetëm 40 euro.
Për përdorimin e telefonit gjatë vozitjes shoferi do të gjobitet me 100 euro gjobë dhe do t’i shqiptohet një pikë negative. Nëse veprimi përsëritet për herën e dytë ngasësit të veturës do ti shqiptohet gjoba me shumën prej 200 euro dhe do t’i shqiptohen dy pikë negative dhe do t’i ndalohet ngasja për tre muaj.
Kurse, nëse për më shumë se dy herë vozitësi e përdor telefonin do të dënohet me gjobë prej 500 euro, dhe do t’i shqiptohen 3 pikë negative, dhe të njëjtit do t’i ndalohet ngasja e veturës në kohëzgjatje për 6 muaj. Ndërsa, me Ligjin e vjetër përdorimi i telefonit gjatë vozitjes kishte qenë 40 euro.
Edhe për këmbësoret parasheh Ligji i ri dënime më të ashpër. Me 50 euro do të dënohen qytetarët të cilit në vendkalimin për këmbësor, përdorin telefonin apo dëgjuese me të cilat mund të humbasin koncentrimin. Këtë veprim të këmbësorit Ligji i vjetër e kishte konsideruar si kundërvajtje dhe ishte dënuar me 40 euro.
Tejkalimi i shpejtësisë mbi 100 km/h më shumë se shpejtësia e lejuar, do të dënohet me 500 euro gjobë, dhe do të shqiptohen 5 pikë negative dhe do ti ndalohet vozitja e automjetit për 6 muaj.
Kurse, Ligji i vjetër, për tejkalimin e shpejtësisë jashtë zonës urbane, e kishte parapa dënimin prej 200-600 euro gjobë, nëse tejkalimi i shpejtësisë kishte qenë 50 km/h më shumë se shpejtësia e lejuar. Krahas gjobës, nëse është tejkaluar shpejtësia ishte paraparë shqiptimi i 3 pikëve negative dhe 3 muaj do t’i ndalohej vozitja e automjetit.
Ligji i ri parasheh edhe rregulla më strike për këdo që bënë gara jashtë vendbanimit. Me 400 euro gjobë dhe 4 pikë negative dhe 10 muaj do t’i ndalohet vozitja e automjetit. Kurse, nëse garat bëhen brenda vendbanimit gjoba do të jetë më e ashpër 500 euro dhe shqiptimin e 5 pikë negative dhe ngasësi nuk mund të vozitë për 12 muaj. Ndërsa me ligjin e vjetër garat jashtë vendbanimit dhe brenda vendbanimit ishin dënuar me gjobë prej 100 deri 300 euro.
Ligji i ri ndalon vozitësit të automjetit të mbajnë në prehër dikë tjetër duke i përfshirë këtu edhe fëmijët. 400 euro gjobë dhe 5 pikë negative dhe ndalimi i vozitjes për 6 muaj është gjoba e re e vendosur në këtë ligj, kurse me ligjin e vjetër nuk ishte specifikuar.
Vozitësit që kanë folie apo material tjetër që ndihmon në errësimin e xhamave të veturës nuk është specifikuar në asnjë nen apo paragraf të ligjit të ri, ndërsa ligji i vjetër parasheh gjobë prej 60 euro./Ballkani.info/







