“Është komplet filozofi e nostalgjikëve të Jugosllavisë”…

Kështu i përkufizonte veprimet e qeverisë së udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti, një nga kritikët më konsistent mes liderëve opozitarë të qeverisjes katërvjeçare – kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj.

Një vit pas, në studion e njëjtë, duke cituar një deklaratë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, drejtuar atij ukrainas, se “Zelensky duhet të lëvizë shpejt ose do të mbetet pa shtet”, kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj, papritmas sheh një nevojë urgjente për një bashkëqeverisje të mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje, nën argumentin se sjellja e papërgjegjshme “humb mundësitë.”

“Para tri ditësh e keni pasur një deklaratë të njërit prej më të fuqishmëve në botë [Donald Trump], ku i tha ‘mund ta humbësh vendin’, i tha një kryetari [Volodymyr Zelensky]. Si e humb vendin tënd? Nuk vjen Amerika për ta pushtuar, por me sjelljen tënde të papërgjegjshme e humb vendin, e humb mundësinë.” – tha Limaj mbrëmë në “Debat Plus”.

Deklaratat e Limajt, të cilat paraqesin një kontrast të thellë me kritikat e tij të ashpra dhe të vazhdueshme ndaj qeverisë Kurti gjatë gjithë mandatit të saj, shkaktuan një valë reagimesh në opinion.

Ndonëse vetëm dy javë më parë Limaj fliste në ATV për dallimin konceptual mes “nesh [opozitës]” dhe “atij [Albin Kurtit]”, në paraqitjen e tij rreth dy javë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, ai rrotulloi argumentin në një ‘nevojë përbashkimi’, duke e lidhur me urgjencën e vendit për “riparim marrëdhëniesh” dhe “ripozicionim të vendit tonë.”

“Kjo na duhet, na duhet shpejt… riparim marrëdhëniesh, ripozicionim të vendit tonë, ne këtu bashkë të bashkohemi në tema nacionale. Shikoni, temat e mëdha, pozitë e opozitë, duhet të jenë në një tavolinë. Temat e mëdha vazhdojnë të jenë tash e 20 vjet. Unë kam një përvojë politike dhe sa herë që pozita dhe opozita kanë qenë bashkë, i ka ecur mirë Kosovës.” – tha kryetari i NISMA-s.

Çka deklaronte Limaj për qeverinë e Kurtit?

Në studion e njëjtë [Debat Plus] ku me deklaratat e mbrëmshme befasoi opinionin publik, Limaj formuloi disa nga kritikat më të ashpra ndaj kryeministrit Kurti rreth një vit më parë.

Ja çfarë deklaronte ai për qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti:

“Këta kurrë shtetin se kanë njoftë. Këta s’i merr kurrkush seriozisht. Këta nuk e kanë njoftë shtetin e Kosovës, jo një vendim gjykate, deri sa janë hypë n’karrika.

Sot janë tuj ba hajgare me shtetin. Qytetari është mashtru. Pse pe mbani letrën e qytetarit, nuk ta ka dhanë votën bllanko, secili qytetar ta kish dhanë atë votë, se ke premtu bashkim kombëtar, se kam me kërku dëmshpërblim prej Serbisë, se nuk kam me shku në negociata me Serbinë, secili qytetar ta kish dhanë votën.

Ku janë sot premtimet? Ke thanë nuk ka Zajednicë nuk ka Asociacion, ku janë sot premtimet?”

Veprimet e Kurtit, Limaj i cilësonte si “filozofi e nostalgjikëve të Jugosllavisë”:

“Sot i ke qitë ata jugosllavët, nostalgjikët e Jugosllavisë me ta arsyetu Asociacionin. Sot janë ngritë në këmbë me ta mbrojtë Albinin.

Nëse sot e shihni veprimin e zotit Kurtit, është komplet filozofi e nostalgjikëve të Jugosllavisë: “nëni 10, pika e fundit’ – qysh mundohet me terminologji me mashtru.”