Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje për reformim të sistemit ndërkombëtar të azilit, duke theksuar se boshllëqet ekzistuese po shfrytëzohen nga rrjete kriminale dhe po dëmtojnë refugjatët e vërtetë. Deklaratat e saj u bënë gjatë një tryeze të mbajtur në New York, me temën “Sistemi Botëror i Azilit: Çfarë shkoi keq dhe si të rregullohet”, organizuar nga ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau.
Presidentja Osmani tha se është e nevojshme të ndërtohen rregulla më të shpejta dhe një kornizë ligjore më fleksibile, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes shteteve për të luftuar fenomenin në rritje të keqpërdorimit të sistemit të azilit nga grupet e krimit të organizuar.
Duke rikujtuar përvojën personale si refugjate gjatë luftës në Kosovë, Osmani theksoi se “abuzimi me sistemin e azilit nga bandat kriminale e vështirëson situatën për ata që kanë realisht nevojë për mbrojtje”.
Ajo theksoi angazhimin e Kosovës në këtë fushë, duke përmendur bashkëpunimin e ngushtë me shtetet evropiane për të luftuar kriminalizimin e migracionit dhe për të parandaluar manipulimin e sistemit nga elementë të paligjshëm.







