Nga miq në armiq| Historia e transformimit të Albin Kurtit në raport me sindikatat

Albin Kurti si opozitar ishte partneri më i mirë i sindikalistëve në Kosovë. Sot ai është kthyer në njeri hakmarrës e mospërfillës ndaj përfaqësuesve të punëtorëve.

Njeriu që dikur e mbështeste çdo grevë, hiq më larg se dje i privoi nga paga punëtorët që janë futur në grevë dhe po kërkojnë kushte më të mira të punës e jetesës.

Kurti dhe partia e tij deri pak kohë para se të vinte në pushtet i takonte shpesh sindikalistët.

Por, me t’u ulur në karrigen e kryeministrit, qasja e tij ndryshoi, shkruan Demokracia.com.

Mësimdhënësit, mjekët e punëtorët e tjerë që hynin në greva llogarisnin në mbështetjen e opozitarit Albin Kurti. Madje, bashkë me sindikalistët ai i akuzonte edhe qeveritë e kaluara.

Megjithatë, luftë kaq të hapur, që çoi me ndaljen e pagave të punëtorëve të Kosovës, nuk u kishte shpallur askush atyre që nga koha e regjimit serb.

Kurti erdhi në pushtet me plot premtime për ta bërë Kosovën një vend plot shpresë. Ai premtonte se bashkë me punëtorët do t’i diskutonte të gjitha hallet e tyre.

“Unë i kam takuar edhe më herët udhëheqësit e sindikatave të punëtorëve shëndetësorë. Padyshim që do t’i takoj edhe në të ardhmen, por uroj që të ketë gjithandej ndryshime. Pra, siç po bëhen ndryshime në politikë, unë besoj që duhet të ketë ndryshime në çdo sferë të jetës shoqërore, profesionale e tjetër, për shkak se jam i bindur që edhe punëtorët shëndetësorë, edhe qytetarët e Republikës nuk mjaftohen që për shumë e shumë vite të vazhdojnë t’i përfaqësojnë të njëjtit njerëz, kushdo që ata qofshin apo kudo që ata janë”, thoshte Kurti.

Në opozitë, sikurse në një rast në qershor të vitit 2011 kur veteranët e UÇK-së mbanin grevë, Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje i drejtohej Kryesisë së Kuvendit me një shkresë për debat lidhur me atë çështje.

E njëjtë dhe gjithmonë mbështetëse kishte vazhduar të jetë qasja e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë kohës në opozitë.

Në vitin 2018, kryetari i LVV-së, Albin Kurti, i takonte përfaqësuesit e sindikatës dhe Bordit të Trepçës, nga ku kishte thënë se partia e tij është në anën e tyre.

“Asete të shumta të Trepçës duan t’i shpiejnë në likuidim, kurse minatorëve nuk duan t’ua njohin stazhin e punës gjatë viteve 1990-1999. Lëvizja VETËVENDOSJE! është në anën e punëtorëve, për të drejtat e tyre dhe për zhvillimin e Trepçës”, shkruante Kurti atëherë.

Po atë vit, LVV-ja mbështeste edhe grevat dhe protestat e punëtorëve të KEDS/KESCO.

Një vit më vonë, LVV-ja e akuzonte qeverinë e atëhershme si fajtore që Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK) kishte hyrë në grevë në janar të vitit 2019.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, atëherë deputete, duke dalë tërësisht në mbrojtje të SBASHK-ut, thoshte se Qeveria dhe Ministria e Arsimit nuk i kanë marrë parasysh kërkesat e SBASHK-ut.

“Nuk është sjell në votim të dytë projektligji për pagat dhe është e qartë se vetë koalicioni qeverisës e ka vonuar këtë ligj. Qeveria e cila falë me dhjetëra miliona euro, që e stërmbush qeverinë me këshilltarë, nuk merret aspak me zgjidhjen e këtyre problemeve. Është e papranueshme që projektligji për pagat parasheh rritje për presidentin, kryeministrin dhe jo edhe për mësimdhënësit”, shprehej ajo, përcjell Demokracia.com.

Po atë muaj e atë vit edhe ministrja Albulena Haxhiu, atëherë deputete, kishte dalë në përkrahje të Sindikatës së Arsimit, e cila po hynte në grevë. Ajo e mirëkuptonte vendimin e SBASHK-ut.

“Vendimi për të hyrë në grevë është i duhur dhe duhet ta ketë mbështetjen edhe të prindërve, sepse për këtë nuk janë fajtorë punëtorët e arsimit, por Qeveria e papërgjegjshme, e cila e ka thelluar krizën e diskriminimin”, deklaronte Haxhiu.

Lëvizja Vetëvendosje në dhjetor të vitit 2019 i kishte pritur përfaqësuesit e tri sindikatave, ndërsa e akuzonte kryeministrin e atëhershëm, Ramush Haradinaj dhe ish-presidentin Hashim Thaçi, që nuk po u përgjigjeshin ftesave të sindikatave për t’u takuar.

Në takim, LVV-ja shkruante se ishin dakorduar që “për të gjitha çështjet të vazhdojë bashkëpunimi i afërt mes Qeverisë së ardhshme dhe të gjitha sindikatave”./ Demokracia.com/