Nga kafshët, apo laboratori? Inteligjenca amerikane nuk vendos dot për origjinën e koronavirusit

Shërbimet inteligjente amerikane nuk ishin në gjendje të vendosnin përfundimisht për origjinën e koronavirusit, duke mos gjetur dot nëse ka dalë nga ndonjë laborator, apo është zhvilluar në natyrë.

Kështu të paktën thotë një raport i publikuar së fundmi nga komuniteti i inteligjencës, i përbërë nga 18 agjenci spiunazhi. Megjithatë, ata arritën në përfundimin se Covid-19, që shkaktoi një pandemi mbarëbotërore, nuk ishte krijuar si një armë biologjike.

Raporti u vlerësua si “anti shkencor” nga ministri i Jashtëm kinez. Në përfundimet e një prej agjencive të inteligjencës thuhet se virusi me shumë gjasa ka dalë nga një incident i ndodhur në laboratorin e Institutit të Virologjisë së Wuhanit, qytetit kinez ku u shfaqën rastet e para me koronavirus.

Pas publikimit të raportit, presidenti Biden lëshoi një deklaratë ku kritikonte Kinën për refuzimin e saj për të bashkëpunuar me hetimet. Në një hetim të mëparshëm të realizuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, rezultoi se koronavirusi kishte dalë nga një kafshë e shitur në një treg.

Pandemia e koronavirusit deri tani u ka marrë jetën rreth 4,5 milionë personave në të gjithë botën dhe pavarësisht prodhimit të disa vaksinave, shumë shtete po përjetojnë një tjetër valë infektimesh dhe shtrimesh në spital.