Nga hynë në Kosovë vaksinat nga Serbia: Policia dhe Dogana nuk kanë asnjë informacion

Serbia gjatë ditës së djeshme ka nisur vaksinimin me vaksina anti-Covid në veri të Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e dha vetë lajmin duke mos specifikuar se kush dhe sa persona do të vaksinohehen.

Për vaksinimin i cili nisi fillmisht në Leposaviq për të vazhduar edhe në Mitrovicë të Veriut, tek pas një dite ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës.

Në reagim thuhet se nuk ka të dhëna se në rrugë zyrtare – legale, në territorin e Kosovës kanë hyrë vaksinat kundër Covid-19, për të cilat është thënë se u janë shpërndarë qytetarëve në veri të vendit.

Institucionet e Kosovës paralajmërojnë se nëse, këto vaksina kanë hyrë në Kosovës përmes rrugëve ilegale, atëherë do të ndërmirren masat e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këtë aktivitet ilegal, kontrabandim me barëra.

Qeveria tutje thekson se  institucionet e Kosovës nuk kanë pasur asnjë komunikim zyrtar me institucionet e Serbisë lidhur me këtë çështje, as të drejtpërdrejtë përmes Zyrave Ndërlidhëse të të dyja vendeve e as me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare.