Atdhetari Hektor Beqiri ka zhvilluar një vizitë të veçantë në Hagë, ku është takuar me Presidentin dhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një postim të bërë pas takimit, Beqiri ka shprehur emocionet e tij dhe respektin e thellë për burrështetasit që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.
“U çmalla shumë sot me Presidentin. Më kishte marrë malli për të biseduar me një burrështetas të pathyeshëm, që edhe brenda katër mureve të Hagës mbetet simbol i forcës, dinjitetit dhe frymëzimit. Presidenti dhe të gjithë krerët e UÇK-së së shpejti do të jenë të lirë. Dita e lirimit të tyre po afrohet,” – ka shkruar Beqiri në rrjetet sociale.
Ai ka shtuar se, megjithëse atdhedashuria e tyre është përkohësisht “e burgosur”, fryma e lirisë dhe dashurisë për Kosovën nuk mund të ndalet.
“Të fala Kosovës. Ju dua shumë! Dielli po lind përsëri për Kosovën!”, përfundon postimi i tij.
Hektor Beqiri njihet për angazhimin e tij të vazhdueshëm në mbështetje të ish-luftëtarëve të UÇK-së dhe kauzës së drejtë të Kosovës. Vizita e tij në Hagë është një tjetër shenjë solidariteti me ata që kontribuuan në çlirimin dhe pavarësinë e vendit.








