Nga e marta lejohen vizitat nëpër burgje, këto janë rregullat

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se ka filluar lejimi i vizitave të lira dhe atyre familjare, për të burgosurit.

Në njoftimin e SHKK-së bëhet e ditur se vizitat do të lejohen nga dita e martë e kësaj jave.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinioni publik se nga data, 28 shtator 2021, do të fillojë me lejimin e vizitave të lira dhe vizitave familjare. Si masë lehtësuese, për vizitë familjare do të fillojë me pranimin e vetëm një (1) anëtari të ngushte të familjes dhe vizitat e lira në lokale të veçanta”, thuhet në njoftim.

SHKK ka bërë të ditur se vizitorët janë të obliguar të posedojnë certifikatën e vaksinimit, ose test PCR negativ jo më të vjetër se 72 orë, apo atë antigjen, jo më të vjetër se 48 orë.

“Gjatë vizitës, vizitori është i obliguar të prezantojë, Certifikatën e Vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër COVID-19, testin RT-PCR negativ në Covid 19, jo më të vjetër se 72 orë, ose testin i shpejtë antigjen negativ, jo më të vjetër se 48 orë. Po ashtu, vizitorët gjatë qëndrimit brenda institucioneve korrektuese obligohen të bartin maskat mbrojtëse”, thuhet në njoftim.