Ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Konflikti që në fillimet e tij nuk shkoi sipas planit që Putin kishte në mendje. Përkundrazi Kremlini pësoi humbje të mëdha pa qenë në gjendje të mposhtte ukrainasit.
Ideja fillestare e Moskës ishte të kryente një ndërhyrje ushtarake të shkurtër duke i dhënë një goditje ushtrisë së Kievit, gjë që do të demoralizonte vullnetin e saj për të rezistuar. Ishte pothuajse e sigurt që amerikanët shumë shpejt do të fillonin dërgesat e armëve, por Putin nuk e kishte menduar që Perëndimi do të ishte bashkuar i gjithi kompakt në mbështetje të plotë të Ukrainës dhe se kjo mund të kishte shkaktuar një konflikt të zgjatur.
Ndërsa Rusia ishte përballë një lufte agresioni, Ukraina ishte në mbrojtje të vendit ndaj dhe morali i saj në vitin e parë qe tejet i lartë. Misioni ishte mbrojtja e territorit dhe shtyrja e rusëve përtej kufijve.
Nëse viti 2023 filloi me optimizmin e fitoreve ushtarake në rajonin Kherson dhe në jug të Kharkivit, qershorin e kaluar në Kiev dhe mes aleatëve të Frontit Perëndimor, thuajse u mor si e mirëqenë se deri në fund të vitit, trupat ukrainase do të ishin në gjendje të diktonin kushtet për një paqe në favor të tyre, duke synuar më tej kontrollin e Krimesë.
Por kundërofensiva që duhej të korrte suksese në vjeshtë, nuk pati rezultatet e duhura. Për të mos thënë që ishte një dështim.
“Ukraina nuk ka rezervat ushtarake, ekonomike dhe demografike që ka Rusia. Duhet të synojmë një fitore të shpejtë. Nëse deri në tetor nuk kemi arritur rezultate të rëndësishme në fushën e betejës, do të jemi në vështirësi serioze”, parashikoi historiani Yaroslav Hrytsak në prill.
Dhe në fakt gjendja aktuale nuk lë hapësirë për shumë optimizëm. Muajt e fundit duket se nuk ka asnjë lëvizje në front. Vetë presidenti Volodymir Zelensky pranoi se nuk ka pasur suksesin e dëshiruar në terren.
Jemi përballë një armëpushimi de facto që tregon lodhjen e palëve. Rusia vazhdon të pushtojë 18-20 për qind të territorit të Ukrainës.
Nëse uniteti i Perëndimit në 2022 vazhdoi gjatë gjithë vitit 2023, së fundmi ka filluar të lëkundet. U pa me paketën e re të ndihmës ushtarake amerikane të bllokuar nga Kongresi dhe BE-në e mbajtur peng nga Hungaria.
Në Ukrainë sinjali më i dukshëm i valës së pesimizmit zhgënjyes shihet kryesisht te rekrutimet. Zëra të ndryshëm flasin për të rinjtë që shmangin daljet natën nga frika se mos rekrutohen me forcë nga patrullat. Tërësisht e ndryshme situata nga muajt që pasuan pushtimin rus të 24 shkurtit 2022, kur qindra mijëra vullnetarë mbushën qendrat e rekrutimit në të gjithë vendin.
Nuk mungojnë të shihen edhe shenja të tjera serioze, përfshirë krizën ekonomike, rritjen e numrit të njerëzve invalidë nëpër rrugë, debatet publike midis Volodymyr Zelensky-t dhe Shefit të Shtabit, Valeriy Zaluzhnyi, pasi ky i fundit deklaroi për revistën “The Economist” në nëntor që lufta ishte “në ngërç kërcënuar nga burimet e shtuara ruse”, shkarkimet brenda radhëve të ushtrisë nga Zelensky.
Sido që të jetë edhe pala ruse nuk mund të fshehë dobësitë e saj. Duhet kujtuar gjithmonë se plani i madh i Putinit për të kapur Kievin dhe aneksuar Ukrainën dështoi që në ditët e para të luftës. Ndërkohë, nëse Ukraina nuk është e fortë, Rusia nuk është shumë më mirë.
Sipas vlerësimeve të NATO-s, ushtarët rusë që vazhdojnë të vdesin dhe mbeten të plagosur janë të paktën dyfishi i ushtarëve ukrainas. Nga të gjitha llogaritë, humbjet ruse janë mbi 300 mijë njësi.
Sulmet ruse në shkallë të gjerë në Ukrainën lindore janë zmbrapsur vazhdimisht. Flota ruse e Detit të Zi thuajse u dëbua nga Sevastopoli pavarësisht mungesës së fuqisë ajrore dhe marinës të Ukrainës, ndërsa sulmet me dron në brendësi të Rusisë çuan luftën në shtëpi për qytetarët rusë për herë të parë.
Putin censuron dhe fsheh mospajtimet e brendshme. Por ato janë. Kriza me milicinë mercenare Wagner korrikun e kaluar zbuloi akoma më shumë dobësitë brenda regjimit. Forcat ajrore ruse sido që të jetë, pothuajse nuk guxojnë të hyjnë në qiejt e Ukrainës. Mbrojtja ajrore e Ukrainës, kundër të gjitha gjasave, kundërshtoi forcat ajrore ruse.
Në përgjithësi gjithsesi, Ukraina ka arritur shumë më tepër nga sa prisnin shumica e vëzhguesve kur shpërtheu konflikti.
Putin ndërkohë do të shmangë operacione të rëndësishme, të paktën deri në rizgjedhjen e tij në mars.
Tani për tani, sipas të gjithë analistëve, nuk ka asnjë zgjidhje diplomatike në horizont. Janë armët ato që ende diktojnë ligjin me ushtrinë ruse në mbrojtje të territoreve të pushtuara në Jug-Lindje, nga Krimea në Donbass.
Ku po shkon pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2024?
2024 nuk do të jetë një vit i lehtë as për Perëndimin, as për Ukrainën. Lufta do të vazhdojë dhe ndoshta do ketë më shumë ritmet dhe intensitetin e përleshjeve që karakterizuan sfidën për Donbass-in nga viti 2015 deri në janar 2022.
Aftësia luftarake e Ukrainës do të jetë gjithnjë e më shumë e varur nga mbështetja perëndimore. Më shumë se kurrë, rezultati do të varet nga vendimet politike të marra mijëra km larg qendrës së konfliktit, në Uashington dhe Bruksel.
Liderët evropianë e kanë kuptuar gjerësisht se disfata e Ukrainës do të vërë në rrezik vendet baltike, Moldavinë dhe ekuilibrat rajonalë. Për BE-në, ajo që ndodh në Kiev është shumë më e rëndësishme dhe jetike sesa skenari i Gazës.
Fillimi i negociatave për pranimin e Ukrainës në BE nënkupton vazhdimin e mbështetjes për Kievin. E ardhmja e Ukrainës në BE do të ishte e pamundur nëse Rusia do të fitonte.
Përveç ndihmave që SHBA-të kanë dhënë për Ukrainën, Bashkimi Evropian nga ana e tij ka kontribuuar me rreth 80 miliardë dollarë në ndihma të përgjithshme. Por shumica e saj ka qenë në formën e ndihmës financiare dhe jo në formën e furnizimeve ushtarake.
U pa qartë se barra nuk është ndarë në mënyrë të barabartë në të gjithë Evropën. Janë shtetet më të kërcënuara nga agresioni rus që kanë treguar një përkushtim shumë më të madh për të mbështetur Ukrainën. Si përqindje e PBB-së, kontributet nga Polonia, Finlanda, shtetet baltike dhe Norvegjia, të cilat ndajnë një kufi me Federatën Ruse, i kalojnë shumë më tepër ato të shteteve të tjera më të pasura.
Vendet e tjera ndoqën shembullin e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar Ukrainën t’i rezistonte ecurisë së mëtejshme territoriale ruse, por i mohuan Ukrainës mjetet për të arritur sukses vendimtar në rimarrjen e territorit të pushtuar.
Në thelb kjo do të thotë aspak ose shumë pak tanke, apo avionë luftarakë ose artileri raketore me rreze të gjatë. Pavarësisht thirrjeve urgjente, Ukraina është detyruar të kundërshtojë dominimin ajror me dronë dhe sisteme të vjetra të mbrojtjes ajrore.
Tre janë shqetësimet kryesore të kësaj qasjeje nga ana Evropës. Së pari, një pjesë e politikanëve perëndimorë kanë frikë se një armatim i fuqishëm i Ukrainës mund të shtyjë Putinin të kalojë “vijën e kuqe” drejt një lufte bërthamore. Së dyti, frika se një disfatë vendimtare ruse në Ukrainë do të çonte në përmbysjen e Putinit, me kaosin e mundshëm që do të pasonte. Dhe një Rusi në kaos nuk është në benefit të askujt. Së treti sepse në këtë rast do të humbiste rolin dhe pozicionin që ka në sistemin ndërkombëtar, të cilin padyshim humbja në Ukrainë do ta vinte në pikëpyetje.
Kështu që lufta do të vazhdojë të zvarritet edhe vitin e ardhshëm. Për momentin asnjëra nga palët nuk dëshiron të ulet në tavolinën e negociatave.
Sipas Michael Clarke, ish-drejtor i përgjithshëm i Institutit Royal United Services “viti 2024 duket të jetë një vit konsolidimi për Kievin dhe Moskën. Rusisë i mungojnë pajisjet dhe personeli ushtarak i trajnuar për të nisur një ofensivë strategjike të paktën deri në pranverën e vitit 2025 dhe Ukraina është e varur nga ndihma financiare dhe ushtarake perëndimore për të qëndruar në luftë vitin e ardhshëm”.
Ben Hodges, ish-komandanti i forcave amerikane në Evropë, thekson se Rusisë i mungojnë aftësitë vendimtare për të thyer vijën e frontit dhe do të bëjë ç’është e mundur për të ruajtur atë që aktualisht ka tani, duke përdorur kohën për të forcuar mbrojtjen e saj. Kështu që në muajt e ardhshëm Ukraina do të duhet të jetë në gjendje të rindërtojë njësitë e shkatërruara nga luftimet me muaj, të bëjë rekrutimit më efektiv, të rrisë prodhimin e municioneve dhe armëve, të përmirësojë aftësinë e saj për të operuar kundër aftësive elektronike të forcave ruse.
Deri në verë Ukraina do të jetë në gjendje të përdorë F-16 për herë të parë dhe forcat e Kievit do të bëjnë gjithçka që është e mundur për vështirësuar menaxhimin e Krimesë për Rusinë.
Kështu që 2024 me shumë gjasa nuk do të jetë viti i fundit të luftës në Ukrainë.
VIDEO BONUS: Rinia e PDK-së e quan Kurtin “babadimër të skandaleve”







