”Nga 120 vendet e botës ku kam qenë, Kosova dhe populli i saj janë të veçantë për mua”

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, mikja e Kosovës, Madeleine Albright, e cila vdiq dje në moshën 84 vjeçare kishte dedikuar një letër ndaj vendit tonë, posaqërisht ndaj vajzave e grave.

Në këtë letër, ajo u kishte folur vajzave të Kosovës për jetën e saj, rrugëtimin e vështirë nga Praga si imigrante në Shtetet e Bashkuara e deri te pozita shtetërore më e lartë e mbajtur ndonjëherë nga një grua.

Letra e plotë e Albright

Të dashura vajza të Kosovës,

Është nder të ju shkruaj juve – gjeneratës së ardhshme të diplomateve, aktivisteve dhe udhëheqëseve në Kosovë.

Kam vizituar shumë vende përgjatë jetës sime. Në fakt, sa kam shërbyer si Sekretare e Shtetit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kam fluturuar mbi një milion milje dhe i kam vizituar 120 shtete. Kam mundur që të fluturoj rreth botës mbi 40 herë me atë distancë. Nga të gjitha vendet në të cilat kam qenë, Kosova dhe populli i saj janë të veçanta për mua. Sa herë e kam vizituar shtetin tuaj, jam frymëzuar nga rimëkëmbja dhe vendosmëria e popullit, posaçërisht ajo e grave dhe vajzave të Kosovës.

Si shumë amerikanë, as unë nuk jam autoktone në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fakt, kam lindur në një vend që është më afër Kosovës se sa Ëashington D.C.-së, në atë që dikur njihej si Çekosllovaki. Sidoqoftë, afër dy vjet pasi kam lindur, trupat e Adolf Hitlerit marshuan në kryeqytetin e Pragës.

Babai im atëkohë ishte diplomat dhe ishte i pavullnetshëm të bashkëpunonte me nazistët. Prandaj, prindërit e mi ikën për në Angli ku edhe qëndruam gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kujtimet e mia të para ishin grumbullimet në një strehimore bombash gjatë sulmeve ajrore, ku këndonim këngë me fqinjët tanë britanikë, dhe e prisnim njoftimin: “Nuk ka më rrezik!”

Isha vetëm tetëvjeçare kur lufta përfundoi dhe u kthyem në Pragë, ku bëja sikur isha Ëinston Churchill, duke folur gjuhën çeke me theks britanik. Pasi mbaruan luftimet, unë dhe prindërit e mi prisnim që ta rinisnim jetën tonë në vendlindje. Por brenda pak vitesh, qeverisjen e Çekosllovakisë e morën komunistët. Edhe njëherë familja ime u detyrua të kërkonte azil, por këtë herë duke lundruar përgjatë Atlantikut për një shtëpi të re dhe mirëpritëse.

Nuk shkoi shumë kohë dhe ne u shpërngulëm në Kolorado ku babai im ndihmoi në themelimin e fakultetit për marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Denverit. Aso kohe, ambicia ime më e madhe ishte që të përshtatesha me shokët dhe shoqet e mia të klasës. Nuk doja asgjë më shumë se sa të isha një adoleshente e çiltër amerikane. Kjo do të thoshte se duhej ta hiqja theksin tim evropian, të mësoja se si të përtypja çamçakëz, dhe t’i bëja lutje – të pasuksesshme – nënës time që të më linte ta kaloja natën te shoqet e mia.

Përgjatë asaj kohe kurrë nuk e kisha imagjinuar se një ditë do të bëhesha sekretare e shtetit në Amerikë. Jo pse më mungonte ambicia. Thjesht nuk e kisha parë kurrë një sekretare shteti të veshur me fund.

Në janar të 1997-ës, unë e dhashë betimin për sekretare shteti pasi u nominova nga Presidenti Bill Clinton. Kurrë nuk e harroj kur shkova në zyrën time të re për herë të parë. Që të arrije aty, duheshe të ecje përgjatë një korridori të gjatë ku varen portretet e sekretarëve të kaluar, shumica e të cilëve kishin mjekra. E paramendoja për një çast se muret po dridheshin – një çikëz – derisa unë, gruaja e parë Sekretare e Shtetit, po ecja përgjatë atij korridori dhe tash po zija vend në mesin e këtyre burrave mjekroshë.

Kur kthej kokën prapa, më duket e pazakontë që Shtetet e Bashkuara nuk e kanë pasur një ambasadore grua deri në vitin 1949. Dhe deri në vitin 1973, secila Zyrtare e Shërbimeve të Huaja ishte pushuar nga puna menjëherë pasi që ishte martuar. Përgjatë pjesës më të madhe të historisë sonë, e vetmja mënyrë që një grua mund të linte përshtypje diplomatike ishte ta derdhte çajin aksidentalisht në prehrin e ambasadorit.

Falë Presidentit Clinton, e kisha mundësinë që ta ndryshoja këtë gjë dhe isha e vendosur që ta bëja më të mirën e mundshme. Shumë përgjegjësi vijnë me të qenurit Sekretare e Shtetit: ai ose ajo është personi i tretë për nga rangu në qeverinë e SHBA-së (pas presidentit dhe zëvendëspresidentit), mbikëqyr politikat e jashtme të shtetit, dhe është lidere e Departamentit të Shtetit. Kur shikoj prapa, jam krenare që ne mundëm të arrinim aq sa arritëm – duke e zgjeruar aleancën e NATO-s, duke e përmbysur krizën financiare aziatike, duke e promovuar demokracinë dhe duke e përkrahur zgjerimin e tregut ndërkombëtar.