Analisti politik

Neziri: Vizita e Kurtit zgjoi nacionalizmin e fjetur te maqedonasit

Analisti politik nga Maqedonia e Veriut, Xhelal Neziri, ka thënë se vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe takimet e tij vetëm me opozitarët shqiptarë në këtë shtet, kanë zgjuar nacionalizmin e fjetur te maqedonasit. Sipas tij, vizita e ditëve më parë e Kurtit ka qenë jo mirë e organizuar dhe ka ngjarë në përpjekje për të unifikuar opozitën shqiptare. Ai madje ka thënë se vizita e tillë do t’i lëkundë raportet ndërshtetërore.

Reagime të shumta nxiti vizita e Kurtit javën e kaluar. Ai takoi përfaqësues të partive opozitare në Tetovë e Çair. Kurti mori pjesë edhe në përurime e emërtime të rrugëve. Reagoi edhe presidenti i Maqedonisë, Stevo Pendarovski, që ka kërkuar sanksione për organizatorët e kësaj vizite, për shkak të ikonografisë shqiptare të përdorur gjatë manifestimeve. Kryetarëve të Çairit e Tetovës u janë ngritur kallëzime penale për shkelje të ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore.

“Vizita e Kurtit hapi debat të madh kur bëhet fjalë për marrëdhëniet në radhë të parë, por debat edhe më të madh kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndëretnike shqiptare maqedonas këtu. Andaj kjo vizitë, mbase nuk arriti aq shumë të promovojë qëllimin e saj, që ishte promovimi i idesë për rrugën Tetovë-Prizren dhe emërtimin e rrugës me emrin ‘Adem Demaçi’, por shkaktoi më shumë reagim dhe hapi tema të vjetra në Maqedoni dhe sikur zgjoi njëlloj nacionalizmi të fjetur te maqedonasit e këtushëm”, ka thënë Neziri të mërkurën në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Ai ka thënë se mungesa e takimeve me krerët shtetërorë të Maqedonisë ka lënë të kuptohet se mysafiri ka shpërfillur institucionet e vendit që vizitoi. Sipas tij, vizita ka lënë përshtypjen se ishte përpjekje për unifikim të opozitës shqiptare “që të sfidohet më seriozisht BDI-ja e Ali Ahmetit”. Vizitën e mëpasme të ministrit Liburn Aliu për takim me Ahmetin, Neziri e ka parë si përpjekje për balancim nga Kurti.

Analisti nga Maqedonia ka thënë se liderit partiak nuk i ndalohet shfaqja tejkufitare e vlerave partiake, por “këtu bëhet fjalë për kryeministër që përfaqëson institucionin më të lartë dhe është reprezentues i të gjithë shtetasve, jo vetëm brenda shtetit, por edhe jashtë”.

Neziri ka thënë se pret që të ketë luhatje të raporteve ndërshtetërore si pasojë e kësaj vizite.

“Mendoj se deri diku po sepse deri tani kanë pasur marrëdhënie të mira ekonomike e shtetërore e ky lloj manifestimi i një arrogance nga Kurti përballë opinionit politik maqedonas, mendoj se do të ndikojë edhe në formësimin e politikës së jashtme nëse jo të kësaj qeverie, gjithsesi të qeverisë së ardhshme”, ka thënë Neziri që i ka cilësuar të ngutshme veprimet e menjëhershme ndaj kryetarëve të komunave me të cilët u takua Kurti.