Netanyahu zotohet se do të hetojë tragjedinë në festival

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u zotua se do të hetojë përplasjen vdekjeprurëse në një festival fetar, që shkaktoi dhjetëra viktima.

Gjatë vizitës në vendin e ngjarjes, pranë Malit Meron, Netanyahu tha se hetimet serioze “do të sigurojnë që këto lloje katastrofash, të mos ndodhin më kurrë”.

Së paku 45 njerëz u vranë dhe 150 u plagosën në festivalin B’Omer, i cili mblodhi dhjetëra mijëra hebrenj ortodoksë.

Është ende e paqartë se çfarë e shkaktoi shtypjen e njerëzve.

“Ka pasur skena zemërthyese këtu. Njerëz që janë shtypur për vdekje, përfshirë fëmijë”, u tha Netanyahu gazetarëve.

Ai tha se “katastrofa e tmerrshme” është një nga më të këqijat në historinë e Izraelit.

Netanyahu po ashtu tha se e diela do të jetë ditë zie kombëtare.

Përplasja ndodhi rreth orës 01:00, sipas kohës lokale.

Sipas raporteve fillestare, ajo u shkaktua nga shembja e një strukture.

Por, burimet policore i thanë më vonë gazetës Haaretz se përplasja ka nisur kur disa njerëz kanë rrëshqitur në shkallë dhe kanë bërë që edhe dhjetëra të tjerë të bien pas tyre.

Këto raporte, megjithatë, nuk janë konfirmuar.