Netanyahu paralajmëron vendet e BE-së për komplotet iraniane

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, duke e cilësuar Iranin “forcën më të madhe të islamit militant”, ka paralajmëruar Evropën për ndonjë sulm iranian në tokën e saj.

Duke folur para gazetarëve më 1 nëntor, pasi ka biseduar me homologun bullgar në Sofje, Netanyahu ka thënë se Islami radikal është kërcënim për botën dhe se Izraeli së fundmi ka fituar informacione për një varg të komploteve iraniane që janë planifikuar të kryhen në tokën evropiane.

Netanyahu nuk ka dhënë detaje, mirëpo në muajt e fundit është raportuar për disa supozime të lidhura me grupe opozitare iraniane, që mund të kenë përgatitur komplote në Francë dhe Danimarkë.

Paralajmërimet e kryeministrit izraelit rreth komploteve iraniane në Evropë kanë qenë pjesë e fushatës së tij për t’iu bërë presion kombeve evropiane që të kenë qasje më të ashpër kundër Teheranit.

Izraeli ka qenë vetëm një nga shtetet e pakta në botë që ka përkrahur Shtetet e Bashkuara këtë vit, kur këto të fundit kanë vendosur për t’u larguar nga pakti bërthamor i vitit 2015, që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore, duke vendosur edhe për rikthim të sanksioneve kundër këtij shteti.

Shtetet evropiane kanë këndërshtuar të ndjekin këtë hap, derisa fuqitë evropiane, Gjermania, Franca dhe Britania kanë punuar me Iranin për të mbajtur gjallë paktin bërthamor.

Pak para nisjes së tij në Bullgari, Netanyahu ka thënë se qëllimi tij është që të “ndryshojë qasjen armiqësore dhe hipokrite të Bashkimit Evropian” në çështjet si Irani dhe Autoriteti Palestinez.

Netanyahu do të takohet më 2 nëntor në qytetin Varna me liderët evropianë, të cilët ai i konsideron më “aleatë”, duke përfshirë, kryeministrat e Bullgarisë, Greqisë, Rumanisë dhe presidentin e Serbisë.

“Ky nuk është vetëm takim mes miqsh”, ka thënë ai.

“Është po ashtu blloku i shteteve me të cilat dua të promovoj politikën time dhe të ndryshoj qasjen hipokrtike dhe armiqësore të BE-së”, është shprehur ai.