Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha sot se lufta e vendit kundër grupit militant palestinez Hamas nuk është një “betejë lokale” dhe vuri në dukje se nëse Izraeli nuk fiton, “askush nuk do të jetë i sigurt”.

“Fitorja jonë do të jetë fitorja juaj. Nëse Lindja e Mesme bie, Evropa është në radhë. Dhe askush nuk do të jetë i sigurt”, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu gjatë një takimi me dhjetëra ambasadorë të huaj në Jerusalem, raporton The Times of Israel.

Sipas këtij portali, Netanyahu ka folur për tema që paraqesin themelet e narrativës së tij gjatë luftës mes Izraelit dhe Hamasit, transmeton Ballkani.info.

“Boshti i terrorit udhëhiqet nga Irani dhe përbëhet gjithashtu nga Hezbollahu, Hamasi, Huthi dhe shërbëtorët e tjerë të tyre. Ata kërkojnë të kthejnë Lindjen e Mesme dhe botën në epokat e errëta. Ata kërkojnë të na torpedojnë, të prishin çdo përparim drejt paqes”, tha ai.

Ai vuri në dukje se Izraeli, pasi të “shkatërrojë Hamasin”, do t’i ofrojë popullit të Gazës “një të ardhme të vërtetë, plot premtime dhe shpresë”.

Për shkak të luftës kundër Hamasit dhe situatës humanitare në Gaza në muajin e fundit, si rezultat i sulmit izraelit, shumë vende kanë tërhequr përfaqësuesit e tyre diplomatikë nga Izraeli.

Sot, Republika e Afrikës së Jugut e bëri atë, për shkak të “gjenocidit nën mbikëqyrjen e bashkësisë ndërkombëtare”.

Më herët, Turqia tërhoqi edhe ambasadorin e saj në Izrael për konsultime, për shkak të “tragjedisë humanitare” në Rripin e Gazës dhe refuzimit të Izraelit për të rënë dakord për një armëpushim.

Përveç kësaj, pas fillimit të luftës midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas më 7 tetor, Çadi, Hondurasi, Kili, Kolumbia dhe Jordania tërhoqën të dërguarit e tyre diplomatikë. /Ballkani.info/