Nesër takimi i dytë Kurti-Vuçiq, këto pritet të jetë temat e diskutimit

Nesër në Bruksel do të zhvillohet takimi i dytë në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiq.

Në këtë takim, sipas zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu tema kryesore do të jetë çështja e të zhdukurve.

Kryeziu ka thënë se për palën kosovare kjo çështje është me prioritet.

“Tema kryesore e takimit të së hënës do të jenë të zhdukurit me dhunë gjatë luftës së fundit, që për ne është çështje me prioritet. Presim që në takim të diskutohen edhe katër propozimet e kryeministrit Kurti nga takimi i kaluar, për të cilat pala serbe nuk ka dhënë ende përgjigje. Në takim pritet të diskutohet edhe për arritjen e pajtueshmërisë për agjendën e ardhshme të kapitullit të ri të dialogut”, ka thënë Kryeziu për “Indeksonline”.

Në anën tjetër, pala serbe në këtë takim sipas deklaratave të tyre zyrtare do të ngris çështjen e formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Muajin e kaluar është mbajtur një takim mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq.

Në këtë takim, kreu i ekzekutivit kosovarë kishte propozuar katër pika të cilat ishin refuzuar nga pala serbe.

Ndërsa javën e kaluar në Bruksel është zhvilluar një takim në nivel kryenegociatoresh mes Kosovës dhe Serbisë./