Shqipëri

Nesër rikthehet “Për’puthen”, kjo është risia e këtij sezoni

Reality show i parë dhe më i ndjekur i dashurisë në Shqipëri “Për’puthen” rikthehet edhe këtë sezon në ekranin e Top Channel.

Mësohet se audicionet janë përmbyllur dhe formati i dashurisë që theu rekorde shikueshmërie, pritet të nis transmetimin më 18 shtator. Një nga risitë e programit në këtë sezon është edhe moderatorja Megi Pojani.

“Ishte shumë e papritur, mund të mendoja çdo program tjetër dhe “Për’puthen” jo. Kam qenë publik i Përputhen për një kohë shumë të gjatë, dhe më duhet të them që e kam marr shumë personale, jam shumë entuziaste. Megjithatë Përputhen do ketë shumë ndryshime, në strukturë ideja ngelet e njëjtë, është një program dating dhe spektakël, por ne po përpiqemi të bëjmë diçka ndryshe nga Përputhen e 4 viteve të fundit”, deklaroi Megi Pojani.

Pas suksesit në “Dancing With the Stars”, dhe moderimit të BB FunClub tashmë Top Channel i ka besuar Megi Pojanit prezantimin e programit Përputhen, nën autorësinë e Olsa Muhameti.

“Top Channel është televizioni i vetëm që kam konsideruar për të vazhduar karrierën time në media. Kanë qenë bashkëpunime shumë të kënaqshme, dhe jam e bindur që edhe Përputhen do jetë një prej tyre. Jam e lumtur që ma kanë besuar si program”, shtoi më tej Megi.

Mësohet se formula e programit këtë vit, do të vijë më disa ndryshime pasi do të jenë sërish vajzat ato që do të kenë privilegjin të zgjedhin djemtë, për t’i ftuar ata në takime brenda dhe jashtë studios.