Nesër pritet të arrihet marrëveshja për kandidatin e LDK-së për kryetar

Kryesia e LDK-së është mbledhur sot pasdite, dy ditë para Kuvendit Qëndror Zgjedhor, ku ka diskutuar për procesin e së shtunës, mirëpo zyrtarisht nuk ka pasur emra se kush do të jenë kandidatët ose kandidati për një mandant të ri si kryetar i partisë.

Pas mbledhjes u spekuluar se është arritur konsensusi që Isa Mustafa, kryetar aktual, të vazhdojë edhe për një mandat, por këto pohime janë hedhur poshtë si nga nënkryerari Lutfi Haziri, po ashtu edhe nga pjesëmarrës të tjerë.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se kryesia e këtij subjekti partiak do të vazhdojë edhe nesër konsultimet në mënyrë që më 3 gusht të kenë paraqitje legjitime në garë.

“LDK është duke punuar, kemi mbajtur një mbledhje te kryesisë kemi vendos të vazhdojmë konsultimet edhe nesër. Fokusi ka qenë përgatitja sa më e mirë e kuvendit dhe arritja e një marrëveshjeje konsensuale për kandidatin që do të paraqitet të shtunën në garë. Deri atëherë do të angazhohemi për të ndërtuar një marrëveshje të përbashkët që LDK të legjitimojë kryetarin të shtunën”, thotë Haziri.

Në anën tjetër, burime të Ballkani.info kanë bërë të ditur se palët ende janë larg marrëveshjes se kush duhet të jetë kryetar i LDK-së.

“Nuk qëndrojnë raportimet apo spekulimet, quani si të doni, se në mbledhjen e Kryesisë ka pasur pajtim që Isa Mustafa të vazhdojë të jetë kryetar”, kanë thënë këto burime.

Ato tutje kanë shtuar se ka shumë gjasa që nesër të ndodh marrëveshja, një ditë para mbajtjes së Kuvendit.

Këto burime nuk kanë mund të specifikojnë se për çfarë marrëveshje bëhet fjalë, se a do të jetë marrëveshje vetëm për kryetarin e partisë apo edhe për kandidatin e LDK-së për zgjedhjet e jashtëzakonshme. /Ballkani.info/

loading…