Nesër nis revitalizimi i varrezave hebraike në Arbëri të Prishtinës

Zyra e Bashkimit Evropian (BE), Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Komuna e Prishtinës do të fillojnë nesër, më 23 korrik, punimet në revitalizimin e varrezave hebraike në Arbëri (kryeqytet).

Varrezat hebraike në Arbëri datojnë nga shekulli i 19-të dhe përfshihen në listën e vendeve të trashëgimisë kulturore të mbrojtura nga Qeveria e Kosovës. Punimet që do t’i implementojë projekti përfshijnë identifikimin dhe dokumentimin e historisë së pranisë hebreje, zbukurimin dhe rigjenerimin e zonës përreth, si dhe krijimin e një sheshi të vogël për aktivitete fetare.

Ky aktivitet është pjesë e projektit Dialogu Ndërkomunitar Gjithëpërfshirës për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore të financuar nga Instrumenti i BE-së për Paqe dhe Stabilitet (IcSP / BE) dhe implementuar nga UNDP.

Sipas paralajmërimit, ky aktivitet do të nisë nesër, nga ora dhjetë, ndërsa të pranishëm do të jenë zyrtarë vendës e ndërkombëtarë.\

loading…