Nesër mbahet provimi pranues për studentët në universitetin “Kadri Zeka”

Të enjten, 18 korrik, me fillim nga ora 9:00 në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, do të mbahet provimi pranues për studentët aplikantë në vitin e parë të studimeve themelore për vitin akademik 2019-2020.

Ky universitet ka njoftuar se në studimet baçelor respektivisht në Fakultetin e Edukimit programi Fillor dhe Parashkollor, Fakultetin Juridik, Fakultetin Ekonomik në programet Banka Financa dhe Kontabilitet, programin Menaxhment dhe Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, do të regjistrojë 925 studentë të rregullt në studime baçelor.

Nga numri i përgjithshëm i përcaktuar, Universiteti do të regjistrojë deri në 12 % studentë të rregullt nga komuniteti jo-shumicë. Po ashtu, në bazë të kuotave të përcaktuara nga MASHT-i, mund të pranohen edhe kandidatët nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, 2% e kandidatëve për secilin departament apo program të fakulteteve veç e veç, kurse 1 % e kandidatëve nga Mali i Zi. Po ashtu, në bazë të kuotave, mund të pranohen edhe 2% e kandidatëve nga Shqipëria dhe Maqedonia, për secilin departament apo program të fakulteteve veç e veç.

Shpallja e rezultateve të provimit pranues do të bëhet, më së voni, deri më 22.07.2019 në fakultetet përkatëse si dhe në ueb-faqen e universitetit, thuhet në njoftim të universitetit.

Gjithashtu, është paraparë edhe periudha e ankimit, kandidatët që refuzohen mund t’i paraqesin ankesë Komisionit për ankesa, brenda 48 orëve pas shpalljes së rezultateve. Pas këtij afati, ankesat nuk do të pranohen.

Shqyrtimi i ankesave bëhet nga Komisioni për shqyrtimin e ankesave nga fakulteti përkatëse më datë 25.07.2018 duke filluar nga ora 10.00.

Kandidatët të cilët nuk janë pranuar, mund t’i tërheqin dokumentet e tyre në fakultetin përkatës nga data 25.07.2019 deri më 31.07.2019.

loading…