Nëse Thaçi nuk ia dorëzon dokumentet ekipit negociator për dialogun, shkelet rezoluta

Të premten ishte dita e fundit kur Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do të duhej që ekipit negociator të votuar në Kuvend, të ja dorëzonte dokumentacionin për mbarëvajtjen e procesit të dialogut të zhvilluar me Serbinë, në Bruksel.

Bashkëkryesuesi i dialogut, Shpend Ahmeti, ndryshe që javën e kaluar caktoi afate kohore, kësaj radhe nuk po e bënë të njëjtën. Por, thotë se do të ishte mirë që ta kenë atë dokumentacion para të mërkurës.

Sipas tij, Thaçi po heziton për të proceduar dokumentet e kërkuara për dialogun, ku përkundër kësaj, shprehet optimist se nuk do të mungojë bashkëpunimi.

Si delegacion shtetëror, Ahmeti thotë se presin që t’i kenë të gjitha informatat nga presidenti Hashim Thaçi. Ndonëse, këtë javë pritet që ekipi negociator të dorëzojë në Kuvendin e Kosovës platformën për dialogun, Ahmeti thotë se deri më tash kanë marrë vetëm disa informata gjysmake.

E në rast se presidenti nuk i dorëzon dokumentet e kërkuara ekipit shtetëror, i pari i PSD-së thotë se shkelet rezoluta. Megjithatë, ai shprehet se është shumë me rëndësi që dokumentet të dorëzohen para të mërkurës, në mënyrë që të plotësojnë sa më mirë platformën që pritet ta dorëzojnë në Kuvend.
Eugen Cakolli nga KDI thotë se presidenti i vendit duhet t’i dorëzoj ekipit negociator dokumentet që posedon për dialogun.

Ai thotë se që nga përfshirja e presidentit Thaçi në këtë proces të dialogut, është vërejtur se ka një tendencë që ky i fundit të jetë prijës i ekipit të dialogut. Cakolli shprehet se edhe anëtarët e ekipit negociator duhet të tregojnë transparencë për atë që bisedohet në Bruksel, pasi që thotë se vet këta të fundit dikur e kishin përshkruar këtë proces si “proces të territ informativ”.

KosovaPress ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga Zyra e Presidentit lidhur me atë se kur kjo e fundit do t’i dorëzojë ekipit shtetëror dokumentet që posedon për dialogun, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.