Nëse të ftojnë, shko Hashim dhe kundërshtoji LV-në dhe LDK-në në Hagë

Albin Kurti, të cilin e njohim të gjithë, si shumë të tjerë e njoh edhe unë për djalë të zgjuar dhe për veprimtar të çështjes kombëtare, dje kishte publikuar një shënim të shkurtër për UÇK-në, për Gjykatën Speciale dhe për Hashimin (kryetarin e Republikës së Kosovës), në llogarinë e vet në “Facebook”. Ndër të tjera, e kishte quajtur mohues të UÇK-së njeriun që e ka themeluar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës!

Ec e pajtohu me këto fjalë të pamenduara mirë. Me fjalët e tij të zgjedhura e të përzgjedhura, shkruar me kujdes stilistik dhe sintaksor, vetëm sa për të thënë lexuesit që s’gjykojnë drejt: a po i mençur është!

Ec e pajtohu me këto fjalë po të tij “ka ardhur momenti që ti të shkosh, atje ku po të thërrasin, në kurthin që vetë ia ngrite ushtrisë çlirimtare”.
Këtë Gjykatë Speciale, ka kaq kujtesë Albini të dijë, e nxitën për t’u themeluar reagimet dhe polemikat, në kohë fushate zgjedhore për zgjedhje lokale dhe kombëtare, akuzat e kandidatëve për deputetë dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të Lidhjes Demokratike të Kosovës, shumë më pak serbët brenda Kuvendit të Kosovës. Prandaj, më parë se Hashimi që të shkojë në Hagë, duhet të niset Albini me Glaukun, me Visarin, me Dardanin, me Fisnikun që frikësohej mos po i nxjerrin ndonjërën veshkë në ndonjë qoshe të Kuvendit themeluesit e UÇK-së, me ata që janë dhe s’janë më në Vetëvendosje e të shkojnë të dëshmojnë jo çfarë kanë dëgjuar (sepse s’kanë qenë ushtarë të UÇK-së andaj nuk dinë të tregojnë për betejat), po çfarë kanë parë, tekefundit, brenda mureve të banesave të veta ose gjatë shpërnguljes së popullatës shqiptare nga Kosova. Dhe, kush më shumë se i yti ta bën të keqën?! Dhe, kush më shumë se LV-ja dhe LDK-ja e kanë promovuar keq UÇK-në.

Prandaj, Albin, përgjegjësi për nxitjen dhe për themelimin e Gjykatës Speciale mban partia që ti udhëheq sot dhe partia që sot udhëheq Isa Mustafa. Themelimit të saj, pos akuzave të Dik Martit e të Del Pontes, i keni ndihmuar jashtëzakonisht shumë ju – deputetët e të dyja partive që, paradoksalisht, sot, në ditët e acarta të dimrit, po dhe para këtij dimri, afroheshit pranë mangallit si Shën Pjetri kur mohonte njohjen me Krishtin të cilin edhe e gjykonin, edhe e kryqëzonin sikurse ju sot dhe tash, që i shkruani dhe i thoni Hashimit shko në Hagë dhe dëshmo dhe bëhu president që hyn në histori.
Albin, themeluesi i kësaj ushtrie, e cila e çliroi vendin dhe i solli pavarësinë, jo aq me sakrifica të mëdha njerëzore dhe materiale siç pat ndodhur në shtetet e shkëputura nga Jugosllavia, do të shkojë në Hagë dhe do të dëshmojë për vete dhe për të tjerët. Rri ‘dathë’. Dhe, natyrisht, unë dhe ata të tjerët që besojnë në luftën e pastër të bërë nga UÇK-ja, presim të dalë faqebardhë jo vetëm “Gjarpri”, po të gjithë ata që janë ftuar të dëshmojnë. Le të shkojë të dëshmojë kushdo. Por, shpresoj mos të t’i thërrasin deputetët e partisë tënde dhe të LDK-së të rrëfejnë, se njollosje më të madhe UÇK-së nuk mund t’i bëjë kush! E keni dëshmuar që sa vite këtë marketing.

Dhe pak para fundit, nuk e dua këtë president më shumë se ti. S’e kam dashur asnjëherë më shumë se ti dhe deputetët e partisë tënde. E respektoj vetëm që ka themeluar UÇK-në, e që kjo ushtri ka ndalur sundimin e egër e të gjatë serb në Kosovë. As nuk po ta mbroj për asgjë. As për, siç thua, që paska mohuar UÇK-në! Po t’i them këto pak fjalë për të t’i kujtuar deklaratat e egra ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kurdo që ju është dhënë mundësia, sa për përfitime partiake dhe në dëm të këtij vendi dhe këtij populli. Kështu si ju, kaq keq dhe rëndë, kohë më përpara jush UÇK-në e godiste “Bota sot” e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilën atëkohë, kur ti nuk kishe parti, e quaje gazetë antikombëtare.
Si ta quajmë sot partinë tënde që ka njollosur vlerat e luftës së invalidëve, veteranëve, heronjve, dëshmorëve, martirëve të UÇK-së?
Si ta quajmë sot Lidhjen Demokratike të Kosovës?

Si t’i quajmë sot deputetët që brenda Kuvendit dolën nga partia jote dhe, ndër akuzat e tjera, vazhdojnë të flasin për moral të dobët brenda Lëvizjes Vetëvendosje, për ngacmime seksuale dhe orgji etj?

Si ta harrojmë gjithë atë mllef që e keni shprehur vazhdimisht për krerët kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prej këtyre që kanë mbetur gjallë?
Pse kurrë nuk u distancove nga bashkëdeputetët e partisë tënde kur ngrehnin akuza, brenda Kuvendit dhe jashtë tij, nëpër cilado media, për heqje të organeve të njerëzve në kohë lufte?

Ai, Hashimi që i thua ti, nuk i ka bërë këto akuza për UÇK-në. Ai do të shkojë të dëshmojë të kundërtat që i keni thënë ju që, së paku, tetë vjet po për UÇK-në, të tjerët që 20, vetëm për ta rritur më shumë Vetëvendosjen dhe Lidhjen Demokratike!

Albin, mos i beso Presidentit, por besoji Hashimit që do të shkojë të dëshmojë për përgjegjësinë e vet individuale dhe për atë kolektive.
Nëse nuk të shkohet dhe nuk të ftojnë ty, përcilli mediat dhe shih se çfarë do të ndodhë me gjykimin e tyre. Thjesht, bëhu spektator aktiv dhe, po munde të heshtësh, hesht dhe mos e godit më çlirimtaren UÇK, se nuk është vetëm e Hashimit dhe e PDK-së. Mos e godit më UÇK-në, me kaq takat dhe stil shkrimi që ke, për shkak inatesh me Hashimin.
Mos, burrë, mos!